Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Lumir Abdixhiku, ka dërguar një telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të LDK-së, ambasadorit Anton Berisha.
Në telegramin e tij, Abdixhiku ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e tij dhe ka theksuar kontributin e jashtëzakonshëm të Berishës në diplomacinë e Kosovës dhe lëvizjen kombëtare.
Ai ka shkruar se “kontributi i tij në fushën e diplomacisë dhe jo vetëm do të mbetet trashëgimi e rëndësishme për të gjithë jetën politike e shoqërore.”
Për më tepër, Abdixhiku ka kujtuar se Berisha ka shërbyer si ambasador i parë i Kosovës në Slloveni dhe ka kontribuar në integrimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke shtuar se “Anton Berisha dha një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën politike dhe diplomatike të Kosovës që nga viti 1990, ku ishte i autorizuar nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova për misione specifike diplomatike.”
Në fund, kryetari Abdixhiku e ka mbyllur telegramin me fjalët: “Humbja e veprimtarit Anton Berisha është një humbje e thellë edhe për trupën tonë diplomatike dhe shërbimin e jashtëm të Kosovës, ku shërbeu e kontribuoi me devocion dhe profesionalizëm prej dekadash.”