Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka krahasuar Kosovën me Gjermaninë, lidhur me atë se çfarë po bëjnë dy shtetet për t’i bërë çmimet e derivateve më të përballueshme për qytetarët.
Abdixhiku ka treguar se si Qeveria gjermane ka reduktuar akcizën dhe barrën tatimore në naftë për 35 cent, derisa ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se po vazhdon të injorojë krizën e përballueshmërisë së qytetarëve tanë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka kujtuar propozime të tilla i kishte dhënë LDK’ja më 7 mars, por se ishin injoruar nga Qeveria Kurti.
“E kishim propozuar më 7 mars, plot tre muaj më parë, reduktimin e TVSH-së e të akcizës në naftë, për të njëjtat efekte që shihen në Gjermani sot. Ishim injoruar me arsyetimin se kriza është e njëjtë nëpër Evropë. E njëjtë është kjo krizë – natyrisht – por masat që kanë ndërmarrë e po ndërmarrin qeveritë evropiane janë të ndryshme. Asnjëra nga to nuk vështron për të mosvepruar si kjo e Kosovës.”, ka thënë Abdixhiku.
I pari i LDK’së ka bërë thirrje sërish që të reduktohet akciza në derivate dhe të reduktohet TVSH’ja në naftë dhe produkte bazike./Reporteri.net
Postimi i tij i plotë:
Me qëllim të lehtësimit të përballueshmërisë për qytetarët më të pasur evropian, Qeveria gjermane nga 1 qershori i këtij viti ka reduktuar akcizën dhe barrën tatimore në naftë për 35 cent. Efektet e rënies së çmimeve u panë dy ditë më pas; dje dhe sot përkatësisht.
Në vendin më të varfër evropian ndërsa, Qeveria e Kosovës vazhdon të injorojë krizën e përballueshmërisë së qytetarëve tanë. Çmimet e naftës vazhdojnë të mbesin të larta, e si pasojë dhe të dhjetra produkteve bazike në Kosovë.
E kishim propozuar më 7 mars, plot tre muaj më parë, reduktimin e TVSH-së e të akcizës në naftë, për të njëjtat efekte që shihen në Gjermani sot. Ishim injoruar me arsyetimin se kriza është e njëjtë nëpër Evropë. E njëjtë është kjo krizë – natyrisht – por masat që kanë ndërmarrë e po ndërmarrin qeveritë evropiane janë të ndryshme. Asnjëra nga to nuk vështron për të mosvepruar si kjo e Kosovës.
Për ta thënë të njëjtën gjë sërish tre muaj më pas:
Të reduktohet akciza në derivate.
Të reduktohet TVSH në naftë dhe produkte bazike.