Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit të madh në qytetin e Gjilanit, në shesh, ka premtuar përfundimin e autostradës së Anamoravës deri te Dheu i Bardhë.
Sipas tij, kjo do të përfundohet brenda mandatit të qeverisë së tyre.
“Gjilan e Anamoravë. E di që ju kanë lënë pas. Ju kanë lënë në harresë! Më 9 shkurt, vij. Vij si bir i juaji, vij me investime që kësaj ane i japin dinjitet. Më 9 shkurt vij me Autostradën e Anamoravës”, tha Abdixhiku gjatë tubimit në Gjilan.
“Plot 170 milionë euro për ju, për rrugën e madhe kombëtare, me dalje në Bresalc, Përlepnicë e deri te Dheu i Bardhë e bashkëqytetarët tanë në Luginë. 2 minuta nga Dheu i Bardhë në Gjilan. 17 minuta nga Gjilani deri në Prishtinë”, shtoi Abdixhiku.