Abdixhiku: Numërimi i votave nga mërgata po afrohet, fotografia finale tregon se nuk arritëm rezultatin e menduar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdixhiku: Numërimi i votave nga mërgata po afrohet, fotografia finale tregon se nuk arritëm rezultatin e menduar

    Insajderi
    03 March 2025 - 10:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Ai ka pranuar se partia nuk arriti objektivat e caktuara, por ka shprehur optimizëm për rritjen e ndjeshme të mbështetjes dhe për një të ardhme më të fortë.

    “Tani që numërimi i votave nga mërgata po i afrohet fundit, e kemi të qartë dhe fotografinë finale të zgjedhjeve tona”.

    Abdixhiku ka thënë se, megjithëse LDK nuk e ndryshoi renditjen e dëshiruar dhe nuk arriti rezultatet e parashikuara, ka regjistruar një rritje të dukshme, me 70 mijë vota më shumë dhe 7 deputetë shtesë.

    “Jo, nuk arritëm rezultatin e menduar. Jo, nuk ndryshuam renditjen që dukej se na ishte parapërcaktuar. Për këtë kam marrë përgjegjësinë mbi supe unë! Por, po, jemi rritur! Dhe atë për plot 70 mijë vota! Si kurrë më parë!” shkroi Abdixhiku në Facebook.

    Kreu i LDK-së tha se rënia është e shpejtë dhe fatale, ndërsa ringritja është një proces i ngadaltë, që kërkon punë të vazhdueshme dhe durim.

    Ai e ka quajtur këtë periudhë të vështirë si një mundësi për të vazhduar punën dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve.

    “Punë e shpresë dhamë. Po bëhemi, sërish, adresë e 180 mijë qytetarëve tanë. Ecëm drejtë, ecëm mbarë. Mangu asgjë. Do të sillemi me plot dinjitet në gjithë rrugëtimin tonë përpara”, tha ai.

    Ai ka falënderuar të gjithë ata që i besuan, duke njoftuar se do të nis me “turneun e falënderimit”.

    “Së shpejti, pas certifikimit të rezultateve, do të nisi TURNEUN E FALËNDERIMIT. Sepse ju kam premtuar! Ju kam dhënë fjalën se nuk do të shihemi vetëm në zgjedhje. Do të takoj gjithë ata që u rreshtuan në thirrjen time për ndryshim. Këtë herë nuk ishim mjaft. Por u bëmë më shumë. Do të bëhemi dhe më shumë!”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark