Për pjesën në Preambulë ku palët pajtohen të mos paragjykojnë çështjet e statusit politik të tyre “janë të befasuar një pjesë e madhe e aleatëve më të rëndësishëm të Kosovës”, tha Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pjesa e Preambulës ku shkruhet se vazhdohet “pa paragjykuar qëndrimet e ndryshme të palëve rreth çështjeve themelore, përfshirë edhe për çështjen e statusit”, sipas Abdixhikut, i ka habitur aleatët e Kosovës ndonëse nuk e thonë e publikisht.
“Në shumë komunikime që kam pasur kohëve të fundit me aleatët tanë, ata janë të befasuar një pjesë e madhe e tyre me këtë çështje. Nuk e thonë publikisht, këtë për Preambulën dhe për pjesën e neutralitetit politik. Aleatët më të rëndësishëm të Kosovës e thonë në komunikime, të themi në nivel të befasisë. Të gjithë që e shohin atë dokument e dinë që pa këtë pjesë marrëveshja do të ishte më e mirë. Më mirë mos të kishte referencë fare të statusit politik. Ky është devijim edhe prej modelit gjermano-gjerman, aty palët e njohin njëra-tjetrën si vende të pavarura, por se i shtohet kjo pjesë është e bukur e frikshme”, tha Abdixhiku në Rubikon, përcjell Insajderi.
“Neutraliteti politik ndaj statusit është risi, hera e parë që një kryeministër pranon neutralitetin e statusit politik. Ai barazoi mosnjohen e Serbisë me aktin e shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, tha Abdixhiku.
Në vërejtjen e gazetarit se a do t’i binte kjo që as Kosova nuk e njeh Serbinë dhe se formulimi nënkupton këtë, Abdixhiku shprehet skeptik.
“Nuk është e njëjtë, Serbia është anëtare OKB-së, e njohur ndërkombëtarisht. Kjo është lëshim i madh dhe dëm i madh. Në fusnotë së paku i referohej edhe opinionit të GJND-së. Në këtë marrëveshje palët pajtohen të mos paragjykojnë statusin politik të njëra-tjetrës”./Insajderi/