
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka inkurajuar zbardhjen e rastit ku ministri në detyrë i Bujqësisë Faton Peci, po dyshohet për një kontratë 60 milionë euroshe, të cilën e nënshkroi, e që ka të bëjë me mbetjet shtazore të kafshëve.
Abdixhiku ka inkurajuar prokurorët që të vazhdojnë punën, duke thënë se ka “djem e vajza të rinj, që kanë guxim e integritet”, shkruan Insajderi.
“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni“, ka deklaruar i pari i LDK’së.
“Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë“, vijon shkrimi i tij në ‘Facebook’.
“Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë“. /Insajderi.org/