Në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, presidentit historik të Republikës së Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, shprehu mirënjohjen dhe respektin e tij ndaj trashëgimisë monumentale të “arkitektit themeltar”.
Abdixhiku nderoi jetën dhe veprën e Rugovës duke thënë se “me urtësinë dhe vizionin e tij e drejtoi vendin tonë në kohët më të vështira.”
“Sot, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, përulemi me respekt e mirënjohje përballë trashëgimisë së tij monumentale, dhe kujtojmë jetën dhe veprën e themeltarit të shtetit të Kosovës dhe prijësit historik të vendit që udhëhoqi popullin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Më 21 janar të vitit 2006, Kosova humbi arkitektin e saj themeltar, njeriun që me urtësinë dhe vizionin e tij e drejtoi vendin tonë në kohët më të vështira. Ibrahim Rugova, themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe udhëheqës i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, qëndroi si shtyllë e fortë e përpjekjeve tona për një shtet të lirë dhe të barabartë në mesin e familjes euroatlantike.” – tha Abdixhiku.
Abdixhiku e cilësoi Rugovën si simbol të përjetshëm të rezistencës paqësore dhe vizionit të qartë politik.
“Përkushtimi i tij ndaj vendit e popullit të tij e shndërroi atë në një simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore. Vizionar e i palëkundur, ai krijoi platformën politike që udhëhoqi popullin tonë drejt ndërtimit të shtetit. Presidenti Rugova, me veprën e tij unike, na mësoi rëndësinë e unitetit, këmbënguljes dhe miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike dhe botën demokratike, vlera këto që na udhëzojnë e i japin kah rrugëtimit tonë të sotëm drejt të ardhmes me moton: Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO dhe në BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të!” – shtoi ai.
Duke reflektuar mbi trashëgiminë e pashlyeshme të Rugovës në historinë e vendit, Abdixhiku theksoi domosdoshmërinë për të mbajtur gjallë frymën e tij në gjithçka që ndërmerret për të ardhmen e Kosovës.
“Sot, teksa përulemi për të nderuar kujtimin e tij, reflektojmë mbi gjurmët e tij të pashlyeshme në historinë e vendit dhe sot, më shumë se kurrë, ndjejmë nevojën për ta mbajtur gjallë frymën e tij në çdo hap që ndërmarrim për të ardhmen e Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet figura më e madhe politike e historisë sonë, një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova! Presidenti ka vetëm ditëlindje!” – përfundoi Abdixhiku.