Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar 33 vjetorin e themelimit të degës në Podujevë. Komunë kjo që dikur ishte bastion i LDK’së sa ishte nën udhëheqjen e Agim Veliut si kryetar dege. Por, me ardhjen në krye të parëtisë të Lumir Abdixhikut raportet mes tyre u përkeqësuan.
Veliu duket se ende nuk i ka kaluar inatet e vjetra me Abdixhikun i cili pas ardhjes në krye të LDK’së kishte iniciuar ndryshimet në këtë degë që rezultuan me Ekrem Hysenin kryetar të degës dhe shkarkimin e Veliut.
Inatet mes tyre nuhaten edhe në mbledhjen e sotme. Si fillim, Veliu nuk u ngrit në këmbë kur në skenë doli kryetari Abdixhiku për të mbajtur fjalim.
E pastaj inatet e vjetra i shprehen edhe në Facebook. Të dytë postuan eventin me fotografi por ajo çka ra në sy është se asnjeri nuk postoi fotografi duke u përshëndetur me rivalët e brendshme partiake.
Lumir Abdixhiku ka postuar 37 fotografi. Vetëm dy nga këto shihet ish-kryetari i degës dhe ish- ministri i brendshëm, Agim Veliu.
Ndërsa ky i fundit ka postuar 39 fotografi por inati i tij duket të jetë me i madh sepse ai nuk ka postuar asnjë fotografi të paraqitjes së kryetarit në shënimin e 33 vjetorit të degës në Podujevë.
Veliu, përpos që e injoroi me albumin fotografik – asnjëherë nuk e përmend Abdixhiku në shkrimin e tij në Facebook, ani pse duke përmendur themeluesin Ibrahim Rugova, Veliu ka bërë thirrje për unitet, që sipas tij tash është më i nevojshëm se kurdoherë.
Veliu nuk e përshëndeti as kryetarin aktual të degës, Ekrem Hysenin
Agim Veliu u prononcua për Tv Llapi në lidhje me injorimin e dyanshëm që ndodhi. Ai tha se nuk u përshëndet fare nga kryetari i degës Ekrem Hyseni.
“Nuk e panë të arsyeshme me e përshëndetë njeriun që e ka themeluar LDK-në para 33 vjetëve. Të shohim kur të hapet procesi i zgjedhjeve sigurisht unë jam i interesuar që LDK në Llap të rikthehet si parti e parë. E kjo formë duke proklamuar unitet e duke vepruar ndryshe është e vështirë në këtë formë“, ka thënë Veliu.