
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në selinë e partisë ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Në qendër të bisedës ishte kriza institucionale që ka përfshirë Kosovën dhe ndikimi i saj në funksionimin normal të institucioneve demokratike.
Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin Rohde për propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit – një zgjidhje që partia e sheh si të përkohshme, por të domosdoshme për tejkalimin e ngërçit politik dhe rivendosjen e funksionalitetit shtetëror.
Sipas Abdixhikut, bllokada aktuale politike dhe institucionale është e papranueshme dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke penguar zhvillimet normale të proceseve shtetërore dhe institucionale.