
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se pas vendimit të Gjykatës Supreme, i cili, sipas tij, konstaton se ministrat dhe kryeministri janë “uzurpatorë të qeverisë”, është e domosdoshme që Prokuroria të ndërhyjë, duke e quajtur situatën aktuale në vend si të pashembullt dhe tragjike.
“Qëndrimet e LDK-së i dini, pozicionet e LDK i dini, por ajo që është e rëndësishme është se po bëhet një kauzë që nga vendimi i Gjykatës Supreme, që e konstaton përfundimisht që ministrat dhe kryeministri janë uzurpatorë të qeverisë. Prokuroria duhet të veprojë, sepse është e paparë. Sa i përket krizës politike në vend, është vërtet tragjike fakti që pas 50 ditëve nuk arrin një parti që ka 48 deputetë të bëjë një shumicë, edhe pse ka alternativa shumë”, tha Abdixhiku.
Ai akuzoi Qeverinë dhe Vetëvendosjen për mungesë vullneti në zgjidhjen e krizës dhe për uzurpim të institucioneve, përfshirë edhe Kuvendin.
“Dikush që uzurpon institucionet nuk sheh ngut për të bërë zgjidhje politike. Nuk i lë hapësirë zhvillimit demokratik, as fjalës së lirë të deputetëve nëpërmjet uzurpimit të ulëseve të Kuvendit. Nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura. Ajo që pritet pas afatit 30-ditor që kalon më datë 25, është të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese. Ne një interpretim e kemi, sikur nuk kemi një respektim të saj”, u shpreh Abdixhiku.