Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke e cilësuar si të paaftë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Gjatë intervistës në “Pressing”, Abdixhiku theksoi se lidershipi aktual ka pasur të gjitha mundësitë për të bërë ndryshime pozitive, por ka dështuar.
Ajo çka po shoh tani është jo vetëm paniku por edhe një politikan i të kaluarës për besë. Se një politikan që mbytë miza nëpër tubime ose ofendon kaq rëndë, ai s’ka çka ofron më tepër. I ka pas të gjitha, i ka pasë 51%, i ka pasë 12 miliardë euro buxhet për katër vjet. Nuk ka pasur fuqi më të madhe politike qeverisëse një njëri në Kosovë. S’ka çka ofron më tepër. Ajo çka qytetarët duhet ta dinë është se, po vazhduan kështu, gjendja nuk ndryshon përveçse keqësohet edhe më tepër. Pra, në qoftë se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se gjendja e tanishme është e mirë, në rregull është.” – deklaroi Abdixhiku.
Ai e vuri theksin te pakënaqësia e qytetarëve, duke përmendur vështirësitë ekonomike si inflacioni dhe rritja e çmimeve të produkteve bazike.
“Por unë çka po shoh, e po shoh shumë nëpër Kosovë, ngritja popullore që po na ndodh nëpër takime, me energji me frymë, është për shkak të pakënaqësisë së madhe që ka në Kosovë. Kjo pakënaqësi buron fillimisht për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, sepse tabelat e pushtetit nuk e përmirësojnë pagën e njerëzve. Tabelat e pushtetit, sa do që duken të bukura e impresive, çmimet prapë po janë të larta. Vaji ështeë shtrenjtuar 100 për qind. Duhet me shku me ble atë vaj. Bukë është shtrenjtuar 50 për qind, duhesh me ble atë bukë. Inflacioni është 50 për qind për produktet bazike. Njerëzit ballafaqohen me këto probleme.” – shtoi kreu i LDK-së.