Abdixhiku reagon pas deklaratave të Emilija Rexhepit, e cila e cilësoi “qasje shoviniste” propozimin e LDK’së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdixhiku reagon pas deklaratave të Emilija Rexhepit, e cila e cilësoi “qasje shoviniste” propozimin e LDK’së

    Insajderi
    07 May 2025 - 13:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratave të Emilija Rexhepit dhe konferencës së saj të përbashkët me deputetin Elbert Krasniqi dhe Nenad Rashiq, të cilët pretenduan se LDK përjashtoi komunitetet jo-shumicë në propozimin për qeveri tranzicionale.

    Abdixhiku me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se disa parti minoritare janë instrumentalizuar në përpjekjen e zgjidhjes politike dhe parlamentare, shkruan Insajderi.

    Keqardhje për keqpërdorimin qe po u bëhet disa partive minoritare mbi propozimin tonë të fundit. Instrumentalizimi i tyre në përpjekjen e zgjidhjes politike e parlamentare, lë shenjë të rëndë në përfaqësimin e pakicave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare”, ka thënë i pari i LDK’së.

    Të painteresuar me përmbajtje por fatkeqësisht të interesuar në kopjimin e gjuhës fyese të polarizuesve, tre përfaqësues minoritarë, anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë, mbajtën sot Konferencë ku akuzuan LDK-në se nuk i ka përfshirë në propozimin tranzitor. Disa shkuan aq larg sa që për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, e quajtën Lidhjen Demokratike – parti shoviniste”, vijon shkrimi i tij.

    Ç’është e vërteta, në 17 vite shtet, dakordimi mes partive shqiptare ka qenë parakusht i përfshirjes së mëpasshme minoritare; përfshirje e garantuar me Kushtetutë. Me Kushtetutën e hartuar nga LDK. Gjersa fatkeqësisht, për herë të parë në historinë shtetare, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë mbajnë anë partiake. Jo vetëm anë, por renditen në vargun e gjatë të akuzave kundër një partie shqiptare, madje në këtë legjislacion, dhe ndaj vullnetit të shumicës parlamentare shqiptare të përfaqësuar me 52 deputetë”.

    Abdixhiku ka përkujtuar se çfarë është shkruar në letër, duke theksuar se janë të përfshirë përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë.

    Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues”. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark