Në një tubim madhështor të organizuar nga Dega e Dytë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në sallën e shkollës “Gjergj Fishta”, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ndau kujtime të veçanta personale që lidhen me këtë vend simbolik për të.
Abdixhiku, i cili ka kaluar tetë vite të fëmijërisë së tij si nxënës i kësaj shkolle, e përshkroi kthimin në këto ambiente si një përvojë emocionuese që i sjell shumë kujtime.
“Kam emocion të veçantë që jam në Shkollën “Gjergj Fishta”. Kam kaluar 8 vite të jetës, mu në këtë shkollë. Mu në këto salla. Mu në këto korridore e këto klasa.” – tha Abdixhiku.
Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku ndau kujtime të veçanta nga ajo periudhë. Një nga ato, rrëfeu Abdixhiku, ishte kur shikonte në dritare teksa parakalonte eskorta presidenciale e Presidentit historik, Ibrahim Rugova.
“Dhe një ndër kujtimet… Kam dy kujtime të veçanta, më duhet t`i them. I pari kujtim është kur nga Velania, parakalonte një eskortë presidenciale, që barte çdo mëngjes një njeri të madh shqiptar. I cili barte shpresën e popullit tonë. Dhe vazhdonim secilën ditë në dritare për ta parë. Ishte Ibrahim Rugova. Shqiptari më i madh!”, tha mes tjerash Abdixhiku.