
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, priti në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin.
Kryetari Abdixhiku dhe Ahmeti diskutuan për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në një kohë kur stabiliteti dhe zhvillimi rajonal mbeten të rëndësishme për të dyja vendet.
“Duke njohur kontributin e z. Ahmeti dhe të BDI-së për forcimin e rolit politik të shqiptarëve, kryetari Abdixhiku vlerësoi domosdoshmërinë e ruajtjes së të arriturave historike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, si dhe forcimin e bashkëpunumit ndërshqiptar”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Shqiptarët janë faktor vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut. Gjuha shqipe dhe historia e shqiptarëve përbëjnë identitet të patjetërsueshëm, theksoi Abdixhiku.
Ahmeti çmoi lart rolin historik të LDK-së dhe të Presidentit Rugova në pavarësimin e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit. Po ashtu, z. Ahmeti vlerësoi lart lidershipin e kryetarit Abdixhiku në procesin e rikthimit të forcës elektorale të LDK-së, si dhe i uroi sukses në zgjedhjet e 9 shkurtit.