Gjilani u bë epiqendra e kryengritjes së djathtë mbrëmjen e së enjtes, ku mijëra qytetarë mbushën sheshin për të mbështetur kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhikun. Pas tubimit masiv në këtë qytet, Abdixhiku deklaroi se Gjilani ka folur qartë dhe se ndryshimi është i pashmangshëm.
“Ishte e paparë. Shesh i kaltërt, shesh i djathtë!”, shkroi kreu i LDK-së në Facebook. Ai tha se “të tilla do të jenë tubimet tona deri në ditën e fundit – të mëdha, të fuqishme, plot me qytetarë të vendosur për fitoren që po na pret!”
Ai theksoi se secila votë për LDK-në është “një hap drejt një Kosovë më të drejtë” duke e cilësuar LDK-në si alternativën e vetme për këtë transformim.
“Çdo votë për LDK-në është një hap drejt një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të fortë! Prandaj, tani është koha t’i ftoni miqtë e familjarët, sidomos ata që nuk janë përcaktuar, dhe t’i bindni ata të dalin, të votojnë, dhe ta mbështesin Lidhjen Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje si alternativën e vetme për të ardhmen e ndritshme të vendit. Sepse LDK është kjo e ardhme, dhe 124 është numri ynë!” – tha Abdixhiku mes tjerash.