×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdixhiku uron 28 nëntorin: Një komb i sakrificës me idealet për liri

    Insajderi
    28 November 2024 - 09:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për nder të ditës së Flamurit dhe 112 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka uruar të gjithë shqiptarëve 28 nëntorin.

    “Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, aspiratën e kahershme për liri e pavarësi.

    Në këtë ditë feste, kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë dhe pavarur, të ndërtuar mbi idealin dhe vlerat e përbashkëta kombëtare. Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, i cili vendosi të sfidojë çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri, mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë.

    Kjo datë, përkon me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit Skenderbeut; mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa kontributin e tyre, Kosova dhe Shqipëria nuk do të ishin si sot!

    Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Mesazhi i Ditës së Flamurit është i qartë: Kujtojmë të shkuarën, nderojmë të rënët dhe punojmë për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë.

    Zoti i bekoftë shqiptarët!”

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    28 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark