Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se pritet që shpejt të dalim pensionet për veteranët e UÇK-së.
Ai ka thënë se ia ka dërguar kërkesën Ministrisë së Financave për transferimin e mjeteve në skemën e veteranëve.
“Unë e kam dërguar në Ministrinë e Financave një shkresë për transfer të brendshme, që do të thotë skema ku kemi mjete për t’i transferuar në skemën e veteranëve. Dhe, po presim që këto ditë të bëhet pagesa për muajin tetor”, ka thënë ministri Abrashi për Zërin.
Vonesa në pagesën e pensioneve kishin edhe për muajin shtator, pasi numri i veteranëve ka shkuar në mbi 28 mijë, të cilët marrin pensione e për të cilët Qeveria nuk kishte planifikuar buxhet, pasi në fillim ishte thënë se do të jenë deri në 14 mijë veteranë që do të marrin pension, meqë pjesa tjetër është e punësuar.