Kryeministri, Albin Kurti pritet që nesër t’ia godet brutalisht biznesin ish-këshilltarit të ish-kryeministrit, Ramush Haradinajt, Gazmend Abrashit.
Në mbledhjen që e ka thirrur për nesër Qeveria e Kosovës pritet që të shfuqizohen dy vendime që janë marrë gjatë qeverisë Haradinaj, shkruan Gazeta Insajderi.
Vendimin për normën e akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë, ku në bazë të këtij vendimi, të datës 9 shtator të vitit të kaluar, përllogaritet duke e përdorur metodën sipas vlerës (ad valorem) dhe përllogaritja bëhet në çmimin e shitjes me pakicë me normë 30% në vlerën shitëse me pakicë.
Nga ky vendim përfituesi më i madh kishte qenë Gazmend Abrashi, i cili gjatë qeverisë Haradinaj po ashtu mbante edhe pozitën e Koordinatorit për Zhvillim Ekonomik në Qeveri dhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Krejt kjo pasiqë fabrika e vetme që merret me prodhimin e cigareve në Kosovë është “Premium Tobacco Group”, në pronësi të Abrashit, shkruan Insajderi.
Abrashi e kishte privatizuar fabrikën e Duhanit në Gjilan, në vitin 2013 pas një varg dështimesh për ri-aktivizimin e saj.
Përvec kësaj nesër pritet të shfuqizohet edhe vendimi për aprovimin e ‘Koncept dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë’. /Insajderi.com