AC Milan Junior Camp 2025 vjen në Prishtinë – një partneritet për sport, barazi dhe edukim! - Insajderi
×
  • Biznes
  • Sport
  • Biznes

    AC Milan Junior Camp 2025 vjen në Prishtinë – një partneritet për sport, barazi dhe edukim!

    Insajderi
    02 June 2025 - 18:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prishtina zyrtarisht hyn në hartën globale të një prej klubeve më të mëdha në histori të futbollit – AC Milan. Në një konferencë për media të organizuar më 2 qershor në ambientet e Komunës së Prishtinës nga KD Events & Communications, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe AC Milan Club Kosova Fan, u prezantua kampi ndërkombëtar “AC Milan Junior Camp 2025”, i cili do të mbahet nga data 9 deri më 13 korrik në Kampin Nacional të Futbollit në Hajvali.

    Kampi do të sjellë në kryeqytet trajnerët zyrtarë të AC Milan për të trajnuar vajza dhe djem të moshave nga 6 deri në 16 vjeç. Për herë të parë, fëmijët nga e gjithë Kosova do të kenë mundësinë të përjetojnë metodologjinë e një prej akademive më të famshme evropiane, në një ambient që promovon edukimin, barazinë dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, hapi konferencën duke theksuar se ky kamp nuk është vetëm një ngjarje sportive, por pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë dhe strategjik. Ai përmendi me krenari pjesëmarrjen e vajzave të KFV Prishtina në një ndeshje miqësore me ekipin U19 të vajzave të AC Milan, e zhvilluar së fundi në Milano me ftesë zyrtare të klubit italian. “Ky bashkëpunim shkon përtej kampit dhe ndeshjeve – ai është një investim në rini, në edukim dhe në barazi. Ftoj të gjithë qytetarët ta përkrahin këtë kamp dhe t’i ofrojnë fëmijëve të tyre mundësinë të prezantojnë talentin para një klubi me emër,” tha Rama.

    Ndërkohë, Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica, theksoi se ky është një moment historik për qytetin. “Prishtina bëhet pjesë e rrjetit global të AC Milan. Kjo rrit jo vetëm imazhin sportiv të qytetit, por e vendos kryeqytetin si një shembull për mundësi të barabarta për të rinjtë – vajza dhe djem – që duan të zhvillohen në sport. Komuna do të vazhdojë ta përkrahë sportin si një urë drejt zhvillimit shoqëror dhe ndërkombëtarizimit të rinisë sonë,” u shpreh Mushica.

    Kampi do të jetë i organizuar dhe menaxhuar nga KD Events & Communications, ndërsa drejtori i kampit, Kushtrim Demiri, dha më shumë detaje rreth logjistikës, strukturës së trajnimeve dhe qasjes së tij gjithëpërfshirëse. Ai potencoi se kampi është dizajnuar për të qenë sa më i hapur, gjithëpërfshirës dhe me ndjeshmëri gjinore dhe mjedisore. “Ky kamp nuk është vetëm për të zhvilluar teknikën në futboll, por edhe për të ndërtuar karakterin e fëmijëve përmes vlerave si respekti, bashkëpunimi dhe përkushtimi. Ne kemi krijuar një ambient që i trajton vajzat dhe djemtë njësoj, duke garantuar pjesëmarrje të barabartë në çdo aspekt të programit. Po ashtu, kemi menduar për aspektin ekologjik – kampi do të përdorë praktika të gjelbra në menaxhim dhe do të promovojë edukimin mjedisor mes fëmijëve.”

    Trajneri kryesor i kampit, Bekim Isufi, theksoi se metodologjia që do të përdoret vjen direkt nga akademia e AC Milan. “Do të fokusohemi në zhvillimin teknik, por njësoj rëndësi do t’i japim edhe aspektit edukativ. Do t’i mësojmë fëmijët për disiplinën, etikën dhe respektin që është thelbësor në sport dhe në jetë,” tha Isufi.

    Në fund të konferencës foli edhe përfaqësuesi i AC Milan Club Kosova, Genc Mala, i cili rikujtoi se ky kamp është rezultat i përkushtimit të komunitetit të tifozëve. “Ne kemi ëndërruar ta sjellim këtë eksperiencë në Kosovë. Ky kamp është dëshmi e fuqisë së komunitetit, bashkëpunimit dhe dashurisë për sportin.”

    AC Milan Junior Camp 2025 shënon një kapitull të ri për sportin në Kosovë, duke bashkuar edukimin, barazinë dhe pasionin për futbollin në një platformë që ofron mundësi reale për zhvillim. Regjistrimet janë të hapura deri më 30 qershor dhe vendet janë të kufizuara.

    Për më shumë informata vizitoni: www.kdevents.com
    Kontakt: [email protected] | +383 46 110 001


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark