
Komuna e Skenderajt ka bërë një gabim me emrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Në një baner te vendosur në qytet emrin e tij e kanë shkruajtur Adam në vend të Adem Jasharit.
Për këtë kishte reaguar edhe ish-kryetari, Bekim Jashari.
Por ndaj tij është përgjigjur faqja e komunës në facebook duke e fajësuar qeverisjen e tij për këtë gabim.
“Po, ne gabimin e pranojmë, sepse kemi përdorur materiale që janë prodhuar vitin e kaluar, gjatë kohës që ishin në pushtet (ishin po këto transparente dhe të njëjtit zyrtarët që i kanë vendosur)”, thuhet në reagimin e komunës.
Postimi i plotë:
Përgjigje ndaj reagimit të ngutshëm të ish-kryetarit të Komunës, përkatësisht kryetarit të subjektit politik “Ideal” lidhur me kërkesën e tij, për kërkim falje lidhur me gabimin në shtypjen emrit të kryekomandantit Adem Jashari
Po, ne gabimin e pranojmë, sepse kemi përdorur materiale që janë prodhuar vitin e kaluar, gjatë kohës që ishin në pushtet (ishin po këto transparente dhe të njëjtit zyrtarët që i kanë vendosur).
Gabime si ky i banerit, ne po vërejmë gati çdo ditë, në çdo dokument, procedurë a veprime të tjera të asaj qeverisje.
Pra, më shumë se qeverisja aktuale, ka faj dhe përgjegjësi ajo e kaluar, ngase është prodhuar një transparent në kohën e ish-kryetarit Jashari.
E çuditshme se si nuk pati një reagim vitin e kaluar???
Reagimi i plotë i Bekim Jasharit:
Sapo më dërguan këtë foto, në të cilën shihet se si pushteti aktual si organizator i aktiviteteve për shënimin e 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në banerat e vendosur në qytet, e shkruan gabim emrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari.E kuptoj që shtypjen e materialeve e bëjnë individ apo kompani të caktuara mirëpo asnjëherë nuk duhet lejuar që të na ikin gabime të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla dhe figura historike si ajo e Komandantit Legjendar Adem Jashari.Gabimet e tilla nder të tjerash shpërfaqin interesimin e pushtetit aktual për historinë dhe trajtimin ndaj atyre që dhanë gjithçka për Ne dhe Lirinë që sot po e gëzojmë.Me këtë rast më e pakta që do të duhej të bënin ata që sot udhëheqin me Skenderajn do të ishte kërkim falja dhe ndërrimi sa më i shpejtë i atyre materialeve fyese.