Adem Hoxha: Mbështetja për Kurtin në pikëpyetje për shkak të përvojës me të në katër vitet e kaluara - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Adem Hoxha: Mbështetja për Kurtin në pikëpyetje për shkak të përvojës me të në katër vitet e kaluara

    Insajderi
    08 April 2025 - 15:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i zgjedhur i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, ka thënë të martën se partia e tij ka ende dyshime se a ta mbështesë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.

    “Mua nuk me pengon Kurti dhe askush. Por, e kam vendosur pikëpyetjen [për mbështetjen], marrë parasysh përvojën që e kemi pasur me kryeministrin Kurti në katër vjetët e kaluara”, theksoi Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

    Hoxha nuk shpjegoi cila ka qenë përvoja e tyre me Kurtin gjatë mandatit të tij të kaluar katërvjeçar dhe as cilat do të ishin kushtet e tij për t’ia dhënë votën Kurtit për mandatin e tretë.

    Hoxha ishte në mesin e zyrtarëve të partive nga pakicat joserbe që Kurti i takoi më 3 prill për të biseduar për formimin e qeverisë së re të vendit.

    Ai shtoi se në përbërjen e re të Kuvendit, deputetët nga pakicat joserbe po përpiqen ta krijojnë një grup të përbashkët parlamentar, pjesë e të cilit do të jetë edhe ai.

    Në rast se nuk arrihet marrëveshje për krijimin e një grupi të përbashkët, ai tha se mund t’i bashkohet grupit parlamentar të cilësdo parti, shqiptare apo joshqiptare.

    Hoxha – i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe – e mohoi se ka pasur ndonjë lloj trysnie nga “Serbia apo kushdo qoftë”, pasi Këshillit i Sigurisë së Kosovës tha ditë më parë se Serbia po tentonte ta sabotonte “themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    “Nuk më ka thirrur askush nga Serbia, nuk kam marrë asnjë kërcënim, shantazh apo sugjerim”, nënvizoi Hoxha për REL-in.

    Megjithëse nguli këmbë se nuk ka marrë asnjë sugjerim as nga Lista Serbe, Hoxha e pranoi se vazhdon të bashkëpunojë me partinë kryesore të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Ai këmbënguli se është “e natyrshme” të bashkëpunojë me Listën Serbe dhe tha se ka bashkëpunim edhe me partitë shqiptare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Të gjithë ne që jemi zgjedhur nga populli, duhet të bashkëpunojmë në një mënyrë për interesin e Kosovës dhe popullit të saj”, tha Hoxha.

    Pak ditë pas përpjekjeve të Kurtit për t’i bindur partitë e pakicave joserbe për ta votuar qeverinë e tij, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha të martën se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.

    Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

    Asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

    Kurti llogariste në 10 deputetët e partive të pakicave joserbe.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark