×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Adil Olluri: Brenda magjisë së poezisë së Xhevdet Bajrajt

    Insajderi
    26 June 2022 - 21:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Xhevdet Bajraj është një nga korifenjtë e poezisë së tashme shqipe. Është një nga zërat më karakterizues të poezisë shqipe të Kosovës të fundshekullit XX dhe fillimshekullit XXI. Andaj, vdekja e tij e parakohshme na la të pikëlluar të gjithë neve që e njohëm, e lexuam dhe e deshëm poezinë e tij. Na pikëllojë sepse ai mund të jepte edhe më shumë nga magjia e tij e të shkruarit bukur. Na la të pikëlluar sepse ai ishte njeri me humor të mirë, i dashur e miqësorë me të gjithë krijuesit shqiptarë në Kosovë, gjë që nuk është veti që haset shpesh në mesin e krijuesve tanë. Xhevdet Bajraj ishte një nga frymëzuesit më të mëdhenj për poetët e rinj kosovarë, që te ai e shihnin ikonën e një forme të ndryshme të shkrimit dhe përjetimit të artit poetik.

    Poezia e Xhevdet Bajrajt është si magnet magjik që të mbërthen, të ngjit pas vetes, dhe nuk të lëshon deri në vargun e fundit të saj, apo më mirë të them deri në vargun e fundit të poezisë së fundit të librit të këtij poeti rrëmbyes, të cilin do ta lakmonte secila letërsi ta kishte për vete. Por, ja që letërsia shqipe e ka fatin ta kishte të sajin dhe për këtë fakt, unë si mik, shkrimtar dhe lexues i poezisë së tij jam shumë i lumtur.

    Një ndjesi të tillë të rrëmbimit nga vargu i bukur poetik i Xhevdet Bajrajt e përjetova edhe gjatë leximit të dorëshkrimit të veprës së tij me poezi, të titulluar “Kafe me nënën”, që erdhi te lexuesit shqiptarë përmes shtëpisë botuese “Armagedoni” nga Prishtina, që ka një fokusim të veçantë te letërsia e sotme shqipe dhe për këtë duhet lavdëruar dhe përgëzuar. Ky libër i Xhevdet Bajrajt tashmë ka një kryepersonazh lirik, siç është nëna e poetit, e cila ndërrojë jetë para pak vitesh. Poeti e kujton, e ndjen mungesën, e ëndërron dhe i shkruan nënës së vdekur. Në shumë prej poezive të këtij libri nëna është motivi i tyre esencial tematik. Prania e dimensionit të dhimbshmërisë dhe përjetueshmërisë, si sensibilitet dhe shënjim konceptual, e bëjnë të dallueshëm këtë vepër poetike të Xhevdet Bajrajt nga veprat e tij paraprake. Pra, këtu nuk e kemi një Xhevdet Bajraj që në plan të parë e ka reagimin, indinjatën, revoltën me të tashmen, por e kemi një Xhevdet Bajraj që përpos reagimit, ndjen dhimbje e mungesë, që tashmë e zë vendin parësor në librin me poezi “Kafe me nënën”.  Ndër poezitë më të bukura, në të cilat figura e nënës është çelësi esencial e figurativ, janë: “Kafe me nënën” (nga e cila e merr titullin vepra), “Nëna dhe pëllumbat”, “Medaljoni”, “Tetëdhjetë e tri vjet zgjati rruga e saj”, “Nëna ime dhe lulet”, “Gjethi që kishte fytyrën e nënës”, “Mëngjesi në Rahovec” e shumë të tjera, ku nëna, si shenjues emocional e konceptual, është e pranishme qoftë në plan të parë, qoftë si shënjues ndihmës për ta rritur përmasën e nostalgjisë së poetit për vendin e tij, të kaluarën dhe të tashmen e tij. Pra, nëna e munguar e poetit real bëhet e pranishme në realitetin e veprës së tij artistike.

    “Kafe me nënën” ka një sërë poezish që janë të shkruara me një mjeshtëri të lartë artistike, që do të dëshironte t’i kishte të tijat secili poet. Janë krijime antologjike për nga mënyra e ligjërimit, sensibilitetit dhe tablove të krijuara, me të cilat shquhet si poet Bajraj. Poezi të bukura si “Lumi i fryrë”, “Vallëzimi i të marrëve”, “Shtëpia e zvarranikut”, “Brenda shtëpisë së braktisur”, “Është koha”, “De Niron do ta vrasin në fund të filmit”, “Medaljoni”, “Kafe me nënën”, “Kur prostitutat dhe politikanët i donin poetët”, “Rruga e diellit” nuk janë poezi që shkruhen shpesh, nuk janë poezi që mund t’i shohësh e t’i lexosh në secilën libër, nuk janë poezi që mund të krijohen nga secila pendë krijuese, nuk janë poezi që mund të botohen në secilën stinë. Si shkrimtar, koleg zanati i Xhevdet Bajrajt, dhe si lexues i vëmendshëm i letërsisë shqipe dhe asaj botërore, jam tejet i bindur, profesionalisht dhe moralisht, që këto poezi të lartcekura të këtij poeti do të bëjnë jetë të gjatë dhe do të kenë rrugëtim të mbarë në duart dhe mendjet e lexuesve. Jam tërësisht i bindur se do të jetojnë gjatë në panteonin e lartë të vlerave të epërme të poezisë së sotme shqipe.

    “Lumi i fryrë” është një poezi antologjike, e shkruar bukur dhe me një mesazh të qartë që lidhet me aktualitetin tonë. Në të, përmes gjuhës poetike, poeti na flet e na tregon se si lumi i fryrë i marrëzisë njerëzore e izolon individin, njeriun e dinjitetshëm, e bën të mbyllur, të jetojë i vetmuar. Përballjen me një lumë e llum të tillë marrëzie në një kohë antivlerash e përjeton secila qenie e dinjitetshme njerëzore. “Vallëzimi i të marrëve” është një poezi e bukur, në të cilën poeti ligjëron revoltueshëm për marrëzinë kolektive të qenieve që iu mungon dinjiteti fillestar njerëzor. I godet me penën e tij të paarsyeshmit që janë në gjendje të vallëzojnë e të festojnë pandërprerë për simbolika, koncepte e gjëra që aspak nuk i kuptojnë, por nuk e kanë fijen e empatisë për fqinjin e tyre të mundshëm, plakun e vetmuar, i cili vdes pa përkujdesjen minimale. “Shtëpia e zvarranikut” është në vazhdën e poezive revoltuese të Xhevdet Bajrajt. Në të mbizotëron ligjërimi satitik e ironik për aktualitetin shqiptar. Në këtë poezi me anë të një ligjërate tallëse goditet mënyra se si njerëzit e kohës sonë e mendojnë dhe e realizojnë jetën e tyre. “Brenda shtëpisë së braktisur”është një poezi e ndjeshme dhe ndjerë, e dalë nga brendësia e shpirtit të poetit. Në të ai na flet me mallëngjim dhe nostalgji prej të mërguari për vendlindjen, larg së cilës ka jetuar tash e sa vite. Kjo poezi është një linjë ideore e tematike me poezinë “Shtëpitë e braktisura”, e realizuar me po aq emocion e mjeshtëri. “Është koha” është mjeshtërore për nga mënyra se si ndërtohet vargu përjetues, se si ndihet mungesa e njeriut të dashur (nënës së poetit). “Medaljoni” është antologjike për shkak të shpalimit të dimensionit të mungesës dhe nostalgjisë. Poeti kishte parë ëndërr se si në kthinat e qytetit ku jeton ia kishin vjedhur medaljonin e nënës. Kur mbaron së ëndërruari e sheh se medaljonin e ka me vete, por nëna mungon, atë më nuk mund ta ketë, dhe fillon ligjërimi përjetues e nostalgjik i poetit. “Kafe me nënën” është në një vijë konceptuale me poezinë paraprake, vetëm se këtu kujtimi dhe përjetimi është më i theksuar. Është poezi antologjike për nënën e vdekur dhe të tashmen e pikëllueshme të poetit. “De Niron do ta vrasin në fund të filmit”, për mendimin tim, është poezia më e veçantë e këtij libri me poezi të Xhevdet Bajrajt. Është mjeshtëri e poetit se si arrin që brenda një poezie të shkurtër ta krijojë një tablo, në të cilën përfshihen disa motive tematike e disa koncepte ideore. Është poezi që lë shumë mundësi interpretimi dhe mund të lexohet nga shumë kënde vrojtimi. “Nënë, De Niron do ta vrasin gjithsesi në fund të filmit” është një konceptim për fundin e përcaktuar, për fundin që dihet. Është një fund jo i lumtur, jo i bukur për realitetin dhe aktualitetit kosovar, një parashikim i zymtë nga ana e poetit. Është një poezi me një brendësi tregimtare në të, ku shpaloset qëndrimi kritik e revoltues i Bajrajt ndaj vrazhdësisë së aktualitetit dhe njerëzve të vendit të tij. Po ashtu, në këtë poezi të Bajrajt na jepet një tablo e mallit për qytetin e tij të lindjes, për kafenetë e qytetit dhe llafosjet e zakonshme me nënën e tij që tashmë nuk ekziston. “Kur prostitutat dhe politikanët i donin poetët” është një dialog poetik dhe ironik në mes të poetit idealist dhe atij pragmatik. Poeti pragmatik, tashmë i shtyrë në moshë, thotë se e ka shkruar dhe dashur poezinë për shkak se në kohën e tij prostitutat dhe politikanët i donin poetët, ndërsa poeti idealist, tashmë në moshë të mesme, është nxitur të shkruaj krejt diçka tjetër. Ai është nxitur të shkruaj nga admirimi për veprat dhe respekti që si i ri kishte pasur për poetin e shtyrë në moshë. Pra, kemi një ballafaqim konceptesh e botëqëndrimesh lidhur me artin poetik. Një poezi e veçantë, atipike për letërsinë e sotme shqipe, ku ngrihen dilemat rreth vlerave dhe të vërtetave të poetëve tanë të njohur. Është poezi që synon shembjen e idhujve të padenjë dhe kështjellave prej letre, që kanë marrë vlerësime të pamerituara nga kritika konjukturale në Kosovë. Ndërkaq, “Rruga e diellit” është një poemth i bukur lirik, në të cilën spikat brendësia rrëfimtare, që është shenjë karakterizuese në shumë poezi të Bajrajt. Është urim i gjatë i poetit, tashmë gjysh, për nipin me rastin e ditëlindjes së këtij të fundit. Brenda këtij urimi të gjatë shohim këshilla jete e këshilla njerëzore për nipin, të thurura me një magji vargu, që të bën për ta lexuar si urim e si këshillë për secilin nip, kudoqoftë e kurdoqoftë.

    Këtë rrugëtim interpretues brenda librit me poezi “Kafe me nënën” të poetit tonë, tashmë të ndjerë, Xhevdet Bajraj, e bëra për ta dhënë një tablo sa më të qartë jo vetëm sqaruese, por edhe vlerësuese për poezinë e këtij poeti, duke qenë i bindur se thelbi i një interpretimi është vlerësimi dhe poezia e Bajrajt e meriton këtë, jo vetëm për këtë libër, por për të gjitha librat e tij me poezi. Ai është një krijues që do trajtuar me respekt dhe dashuri dhe të jetë sa më shpesh e sa më shumë i pranishëm në sofrat e lexuesve dhe njohësve të artit poetik.

    Përpos motiveve ideore e tematike, botëkonceptimeve dhe perspektivave të veçanta poetike, ajo që e shquan ligjërimin artistik të Xhevdet Bajrajt është krijimi i tablove, pamjeve e sekuencave të veçanta poetike, gjë që e bën atë nga poetët më të mirë të imazhit, jo vetëm të letërsisë së sotme shqipe. Arti i tij poetik është i brumosur me një brendësi tregimtare, ku gjërat që thuhen përmes gjuhës poetike, përpos që lexuesit mund t’i lexojnë e mund t’i ndjejnë, ata mund të krijojnë edhe një perceptim vizual për to e rreth tyre.  Poezitë e tij si “Pilati”, “Gruaja e armatosura”, “Fishkëllima e vdekjes”, “Medaljoni” etj, shumë lehtë mund të shndërrohen në tregime të shkurtra e filma të shkurtër artistik. Këtë gjë pak poetë mund ta realizojnë.

    “Kafe me nënën” është një libër me poezi që më dha kënaqësi të madhe leximi dhe më shkundi me artin e fjalës së bukur shqipe. Është kënaqësi të flasësh e të shkruash për poezinë, veçmas kur ke para vetes një libër të mirëfilltë si ky i Xhevdet Bajrajt.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark