×
  • Lajme
  • Insajderi

    Afera 2 milionëshe – ministrat e LDK-së hedhin fajin tek njëri-tjetri

    Insajderi
    27 October 2020 - 15:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Arban Abrashi, nuk e ka njoftuar dikasterin e saj për bllokimin e disa user-ëve.

    “MI në momentin kur një zyrtar i tyre largohet nga puna e ka për obligimi që brenda ditës me njoftu Thesarin që me ja mbyllë qasjen, dhe kjo nuk ka ndodh nga Ministria e Infrastrukturës”, ka thënë mbrëmë Hykmete Bajrami në Pressing, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndaj këtyre akuzave nuk ka marrë përgjegjësi bashkëpartiaku i Bajramit, dhe kreu i MI-së, Arban Abrashi.

    “Është proces që nuk është në dorën të ministrisë. Çështja e userave dhe certifikimi i tyre shkon përmes Thesarit, sa e di unë. Është diçka që duhet të hetohet”, ka thënë Abrashi në një konferencë për media, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ajo çka kam pyet unë, tash po flas se pse nuk ka ndodh kjo është se nëpër ministri zakonisht është praktikë se i mbajnë 1 ose 2 zyrtarë certifikues në staf, në rast se dikush shkon në pushim e përdorim si alternativë”, ka thënë Abrashi.

    Përgjegjësi nuk ka marrë as Sekretari i Përhershëm i MI-së, Izedin Bytyçi.

    “Kjo çështje do të hetohet, pse zyrtarët përgjegjës nuk i kanë ndërmarrë veprimet e veta. Kanë me dhanë përgjegjësi”, ka thënë Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyçi, shkruan Gazeta Insajderi. 

    Gazeta Insajderi ka raportuar mbrëmë mbi korrespodencat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës që zbulojnë rrjedhën e zhdukjes së 2 milionë eurove.

    Zyrtari Kryesor i Financave, sipas e-maila-ve të siguruara nga Gazeta Insajderi, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për katër transaksionet e bëra.

    Ai përmes e-mail-it zyrtar, i ka informuar në detaje zyrtarët tjerë të ministrisë, për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.

    I njëjti, ka treguar se “LDA Group” SH.P.K., nuk është klient i Ministrisë së Infrastrukturës, dhe ka zbardhur faktin se nga cilët user janë kryer transaksionet e mijëra eurove.

    “1. Kompania: LDA Group SHPK – nuk është klient i MI-së; 2. Kërkesa për regjistrim në Furnitorit është bërë me datë 09/10/2020 nga Hasan Krasniqi – të cilin në MI nuk e njohim, dhe nuk është pjesë e jona: 3. Zotimet janë përdorur ato të më hershmet të cilët kanë qenë të regjistruar në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK); 4. Urdhërblerja është nxjerr me datë 09/10/2020/ nga Useri AAlijaji – i cili User nuk është pjese e MI dhe nuk e njohim; 5. Pranimi i mallit është bërë me datë 09/10/2020 nga Useri me emrin HASANK1 – i cili User nuk është pjesë e MI-së dhe nuk e njohim; 6. Shpenzimi është bërë me datë 09/10/2020 nga Useri BSelmani – i cili User nuk është pjesë e MI-së dhe nuk e njohim; 7. Certifikimi është me datë 09/10/2020 ora 12:41 nga Useri FazliuF – i cili User është pjesë e Kërkesës sonë të datës 28.01.2020 është aktiv, por që nga muaji mars nuk e ushtron këtë detyrë sepse është transferuar në NJRPSH-Mitrovicë”, thuhet në e-mail-in e Zyrtarit Kryesor të Financave.

    Ky i fundit, zyrtari me emrin Fadil Fazliu që nga muaji janar i këtij viti është transferuar në Njësinë e Patentë Shoferëve në Mitrovicë. I njëjti në Ministrinë e Infrastrukturës, ka mbajtur pozitën e zyrtarit certifikues.

    Që nga janari kur ai ka nisur punën në Mitrovicë, user-i i tij, prej të cilit do të duhej të certifikoheshin pagesat nuk është bllokuar edhe pas nëntë muajsh.

    Labinot Gruda, i dyshuari kryesor, e ka shfrytëzuar këtë hapësirë për transferimin e mbi 2 milionë eurove në xhirollogarinë e “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.

    Gruda, më 20 tetor, një ditë pas zbulimit të skandalit është arrestuar nga Policia. Të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Shala, dje, është vetëdorëzuar në Polici. Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    Gazeta Insajderi në vazhdimësi, ditë pas dite, ka raportuar për aferën 2 milionëshe./Insajderi.org

    Kronologjia e rastit më poshtë:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark