×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Afera 5 milionëshe e Blerim Kuçit, si u refuzua nga Gjykata e Tenderëve

    Insajderi
    08 October 2020 - 13:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Eros Klaiqi

    Procedurat e një tenderi 5 milionë eurosh të fituar nga një kompani private e ministrit Blerim Kuçi, nxitin dyshime për parregullsi, shkelje të Dosjes së Tenderit dhe konfliktit të mundshëm të interesit

    Rreth katër muaj pas emërimit në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi fitoi një betejë të gjatë më shumë se një-vjeçare në rrafshin privat.

    Kompania në të cilën ai zotëron 100 për qind të aksioneve, NPN Hidroterm, u shpall fituese e një tenderi publik të vlefshëm pesë milionë euro në fund të shtatorit të këtij viti.

    Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK) ia dha firmës private të ministrit Kuçi kontratën për ndërtimin e një objekti spitalor në Prizren.

    Por, procedurat e prokurimit të cilat nisën në muajin korrik të vitit të kaluar për të përfunduar të martën e 6 tetorit të këtij viti, nxitin dyshime për parregullsi, shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik dhe konfliktit të mundshëm të interesit.

    NPN Hidroterm u rekomandua për kontratë nga ShSKUK-ja në prill të këtij viti për “ndërtimin e objektit spitalor për nënën dhe fëmijët në Prizren”, por vendimi i institucionit publik shëndetësor u rrëzua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), që njiohet ndryshe si ‘Gjykata e Tenderëve’.

    Në një vendim të nxjerrë më 15 qershor, OShP-ja e anuloi vendimin e ShSKUK-së për t’ia dhënë kontratën 5 milionëshe kompanisë së Blerim Kuçit.

    ‘Gjykata e Tenderëve’ e eliminoi nga gara firmën private NPN Hidroterm, me arsyetimin se nuk e ka plotësuar vlerën e qarkullimit në Administratën Tatimore të Kosovës për tri vitet e fundit, siç ishte kërkuar në Dosjen e Tenderit.

    “Lideri i grupit duhet të përmbush së paku 60 për qind të qarkullimit minimal. Ndërsa dëshmi e kërkuar dokumentare ka qenë: ‘Dëshmia 1. Qarkullimi bankar për tri vitet e fundit nga data e njoftimit për kontratë jo më pak se 8,000,000.00 euro”, thuhet në arsyetimin e vendimit të OShP-së.

    “Dëshmia 1.1. Deklaratat tatimore vjetore të dorëzuara në Administratën Tatimore të Kosovës për tri vitet e fundit të përfunduara fiskale nga data e njoftimit për kontratë jo më pak se 8,000,000.00 euro (kopje)”.

    Kësisoj, OShP-ja ka konstatuar se kompania e ministrit Kuçi nuk e ka përmbushur këtë kërkesë. Ka tentuar të paraqesë si dëshmi edhe qarkullimin vjetor të kompanisë së tij “Hidroterm D.O.O.”, e cila është e regjistruar në Mal të Zi.

    Vendimi i ‘Gjykatës së Tenderëve’, 15.06.2020

    “Duke pasur parasysh sqarimin e lartpërmendur kuptohet që dëshmitë nga OE Hidroterm DOO – Dega në Mal të Zi nuk mund të merren parasysh sepse nuk kanë marrëveshje konzorciumi, edhe pse dëshmitë e ofruara nga OE i rekomanduar për kontratë nuk kanë përputhje të plotë, gjegjësisht dëshmitë e ATK-së me qarkullimet financiare”, konstatoi ‘Gjykata e Tenderëve’.

    “Pra sipas kërkesës së autoritetit kontraktues për deklaratat tatimore vjetore të ATK-së kuptohet se OE i rekomanduar për kontratë nuk e ka plotësuar këtë kërkesë, pasi që pjesën tjetër të dëshmive e ka ofruar për qarkullim financiar nga një institucion i Malit të Zi (jo nga ATK)”, thuhet në vendimin e OShP-së.

    Në të njëjtin vendim të datës 15 qershor, OShP-ja i dha edhe një goditje tjetër biznesit të ministrit Kuçi. Konfirmoi se ShSKUK-ja nuk e respektoi kriterin kryesor për dhënie të kontratës kur e shpërbleu firmën NPN Hidroterm në muajin prill. Nuk e përzgjodhi fituese ofertën “e përgjegjshme me çmim më të ulët”.

    Procesi dyshohet të ketë hasur edhe në shkelje të Ligjit për Prokurimit Publik, sipas Gjykatës së Tenderëve.

    “Po ashtu, nuk është respektuar edhe neni 7 i LPP-së, pasi që nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë ofertuesit, por është favorizuar OE i rekomanduar për kontratë për arsyet që u cekën më lartë”, nënvizon OShP-ja.

    Por, pavarësisht prej vendimit të Gjykatës së Tenderëve kundër kompanisë së ministrit Kuçi, ShSKUK-ja e rekomandoi sërish për kontratë kompaninë NPN Hidroterm.

    Kështu ndodhi edhe pas një vendimi paradoksal të OShP-së në muajin gusht, i cili aprovonte si “pjesërisht të bazuara” ankesat e kompanisë ankuese.

    ShSKUK-ja e injoroi vendimin e OShP-së dhe e shpalli fituese të tenderit 5 milionësh kompaninë e pushtetarit Blerim Kuçi më 6 tetor.

    Insajderi ka kërkuar sqarim nga ministri Kuçi në lidhje me tenderin e fituar të kompanisë së tij nga kjo procedurë e prokurimit publik, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ai nuk ka kthyer përgjigje.

    Përgjigje në pyetjet e parashtruara nga gazeta nuk kanë kthyer as nga Shërbimi Klinik Spitalor i Kosovës, e as nga Qeveria e Kosovës.

    Sipas të dhënave publike, kompania “Hidroterm” Sh.P.K. e ministrit Blerim Kuçi, është regjistruar në vitin 2003.

    Të dhënat publike për kompaninë “Hidroterm” Sh.P.K.

    Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) figuron se baza e firmës ndodhet në Suharekë, vendi i origjinës së Blerim Kuçit. Bazuar në këto të dhëna, kapitali i përgjithshëm i kompanisë është rreth 500 mijë euro.

    Emrat e Blerim Kuçit dhe kompanisë së tij “Hidroterm” Sh.P.K, janë ndërlidhur edhe në të kaluarën me tenderët publikë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Fillimisht, emri i Kuçit ishte përfshirë në procesin e dyshimtë të privatizimit të vreshtarisë në Suharekë. Bëhej fjalë për disa transaksione të dyshimta në  procesin e shitjes së ndërmarrjes NBI “Suhareka”.

    Ish-ndërmarrja e vreshtave NBI  “Suhareka”, ishte privatizuar më 2007 dhe fitues qe shpallur “Agrokosova Holding”.

    Lidhur me këtë rast Prokuroria Speciale e Kosovës kishte zhvilluar hetime në vitin 2011. Në mesin e atyre që ishin hetuar ishte edhe Blerim Kuçit, kreu i Komunës së Suharekës. Mirëpo, hetimet e Prokurorisë së Shtetit kishin pushuar disa muaj më vonë.

    Në të kaluarën, “Hidroterm” Sh.P.K. mori hise në tenderin për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë në Hajvali.

    Kontratën për këtë projekt që ishte më i madhi në Kosovë në fushën e drejtësisë e kishte fituar një kompani bullgare, e cila për nënkontraktor kishte zgjedhur kompaninë e ministrit Kuçi.

    Për këtë tender, siç kishte raportuar Insajderi, Prokuroria Speciale e Shtetit kishte nisur hetime në prill të vitit 2015 bazuar në një ekspertizë profesionale të autorizuar nga Prokuroria, e cila kishte konstatuar se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara.

    Kompania e Kuçit kishte vazhduar të përfitonte nga prokurimet publike edhe në Komunën e Suharekës, të udhëhequr nga Bali Muharremaj, bashkëpartiaku i tij. /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark