×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Afera me armë | Maqedonci me këshilltaren lobuan në ShBA për kompaninë private kosovare, përfshinë edhe Gjeneralin Timothy Orr

    Insajderi
    13 November 2024 - 14:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një hulumtim disa mujor i Gazetës Insajderi ka zbuluar se Ejup Maqedonci para se të bëhej ministër ka lobuar në ShBA për firmën private të armëve, AFSA Arms të multimilionerit Avni Vllahiu. Kompania deklaron vet se tash ka licencë për prodhim të armëve e municionit. Në takim ishte edhe Artina Hamitaga, që pasi Maqedonci u bë ministër nga Kryeministri Kurti, e mori në kabinet si këshilltare. Në këtë histori përfshihet edhe një multimilioner tjetër nga Amerika si dhe Gjenerali në pension, Timothy Orr e zyrtarë të tjerë amerikanë

    Donjeta Islami

    Ishte gushti i vitit 2022. Në Indianapolis të shtetit Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të mbahej një konferencë e Asociacionit të Gardës Nacionale të ShBA-ve.

    Tre zyrtarë amerikanë, përfshirë këtu edhe Gjeneralin në pension të Gardës së Iowa, një shtet që është binjakëzuar me Republikën e Kosovës, Timothy Orr do të përfshihen në një nismë për ta dërguar në këtë konferencë një kompani private të armëve nga Kosova.

    E për të iu mundësuar kjo kompanisë AFSA Arms, pronë e biznesmenit Avni Vllahiu në lojë kishte hyrë Ejup Maqedonci, Kolonel me gradë në Ushtrinë e Kosovës.

    Takimi që i parapriu kësaj kërkese për viza për njerëzit e firmës private AFSA Arms të Vllahiut ishte në përbërje të Kolonelit Maqedonci, biznesmenit shqiptaro-amerikan, Esat Gashi dhe Artina Hamitaga.

    Gati një vit më vonë, më 9 gusht 2023, Koloneli Ejup Maqedonci la uniformën ushtarake dhe veshi katin e teshave. Ai mori dekretin nga Kryeministri Albin Kurti për tu bërë Ministër i Mbrojtjes. Pos ndryshimeve të tjera pasi dha tërheqje pararendësi i tij, Armend Mehaj, në kabinet si këshilltare që paguhet nga donatorët e jashtëm Kolonel Maqedonci angazhoi edhe Artina Hamitagën.

    Edhe pas shumë insistimeve të Gazetës Insajderi, as Ministri Maqedonci, që gjatë luftës së fundit në Kosovës, si pjestar i UÇK-së njihej me nofkën “Ujku”, e as Hamitaga, nuk kanë treguar se kë e përfaqësonte në takimin me amerikanët për interesat të AFSA Arms, tash këshilltarja Hamitaga.

    As vet kompania e Avni Vllahiut, e kontaktuar nga Insajderi, nuk ka komentuar se Hamitaga a e përfaqësonte kompaninë e tyre dhe në çfarë kapaciteti.

    AFSA Arms tash deklaron që ka licencë edhe për prodhim të armëve dhe municionit.

    Si u përfshi në lobim për një kompani private Gjenerali amerikan i respektuar në Kosovë

    Gjenerali Timothy Orr, tash në pension, që për një kohë drejtoi Gardën Nacionale të Iowa, një shtet që është binjakëzuar kohë më parë me Kosovën, është një personalitet i respektuar në Republikën e Kosovës.

    Ditë më parë ai madje pati një vizitë në Prishtinë, ku edhe takoi kreun e partisë opozitare, AAK, Ramush Haradinaj, ku ky i fundit tha se e kishte për nder ta takonte bash në ditën e veteranëve Gjenerali Timothy Orr.

    Por, si u përfshi ai në lobimin për kompaninë private të Kosovës në konferencën e Asociacionit të Gardës Nacionale të ShBA-ve?

    Një dokument i brendshëm i “Greater Des Moines Sister Cities” që e ka siguruar Gazeta Insajderi zbulon krejt këtë lobim.

    “Greater Des Moines Sister Cities” është një forum për vendet që janë binjakëzuar me shtetin e Iowa, e ku përfshihet pos Kosovës edhe një provincë e Kinës, një qytet i Francës dhe një regjion i Japonisë.

    Në transkriptin e raportimit për aktivitet që forumi në fjalë ka pasur për vitin 2022 thuhet se Hollie Zajicek, një zyrtare e administratës në Iowa kishte ndarë me këtë forum informacionin se ajo vet, Gjenerali Tim Orr dhe ushtaraku tjetër Todd Jacobus, që tash është në detyrë si Komandant i Departamentit për Veteranët në Iowa kishin dërguar një letër për të iu dhënë vizë amerikane njerëzve të kompanisë private kosovare, AFSA Arms, pronë e Avni Vllahiut.

    Sipas dokumentit, letra e dy ushtarakëve dhe e Hollie Zajicek, Drejtoreshë e Zhvillimit ekonomik në qytetin Norwak të Iowas, ishte që vizat tu jepen njerëzve të AFSA Arms për të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga Asociacioni i Gardës Nacionale të ShBA-vë, konferencë që u mbajt më 26-29 gusht 2022 në Indianapolis, Indiana.

    “Hollie shpjegoi se ajo dhe Jaki Livingston u takua me kolonelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Ejup Maqedonci, z. Esat Gashi dhe Znj. Artina Hamitaga lidhur me interesimin e Kosovës për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe marrjen ndihmë nga industria e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në këtë dokument, derisa bëhet me dije se edhe pse forumi “Des Moines” nuk e ka mbrojtjen si komponentë të aktiviteteve të veta, thanë që është e rëndësishme që “ne të mbështesim dhe të ndihmojmë ku të mundemi në këtë fushë, pasi që kjo është e rëndësishme për shtetin e binjakëzuar (në këtë rast për Kosovën”, thuhet në këtë dokument, që e posedon Insajderi.

    Dokumenti zbulon se në takim ishte edhe Esat Gashi, por as për atë nuk bëhet me dije  se kë e përfaqësonte ai.

    As kompania AFSA Arms e kontaktuar nga Insajderi, as Ministri, Koloneli Ejup Maqedonci nuk kanë treguar se në çfarë roli mori pjesë në këtë takim biznesmeni shqiptaro-amerikan, Esat Gashi.

    Muaj më parë u bë publike që Esat Gashi kishte kryer një transaksion milionësh ku mori në kontrollë një pronë të vlefshme në Bronx (New York). Raportimi tregon se Esat Gashi bleu një kompleks banesor prej 50 banesash në një vlerë prej 5 milionë dollarësh.

    AFSA Arms: Kemi licencë për prodhim të armëve e munucionit

    Gazeta Insajderi e ka kontaktuar Gjeneralin Timothy Orr për të shpjeguar rolin e tij në këtë zhvillim ku ai bashkë me një ushtarak tjetër, dhe një zyrtare administrate në Iowa draftuan letrën për viza për një kompani private kosovare, por deri tash nuk ka pranuar ndonjë përgjigje apo koment nga ana e tij.

    Hollie Zajicek, Drejtoreshë e Zhvillimit ekonomik në qytetin Norwak të Iowas, që ishte pjesë e grupit të draftimit të letrës për njerëzit e firmës AFSA Arms që të merrnin pjesë në konferencën e Asociacionit të Gardës Nacionale të ShBA-ve i ka pranuar pyetjet e Gazetës Insajderi, por deri tash e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

    Insajderi e ka kontaktuar edhe Sekretarin e Ministrisë së Mbrojtjes, Gafur Dugolli për ta pyetur nëse AFSA Arms, për të cilën para se të bëhej Ministër Kolonel Ejup Maqedonci ishte pjesë e grupit që loboi ta dërgonte në ShBA, ka marrë së fundmi ndonjë licencë nga kjo ministri, por as ai nuk ka kthyer përgjigje.

    Insajderi i ka dërguar këto pyetje pasi që kompania e biznesmenit Avni Vllahiu, që po ashtu është kontaktuar, por nuk është përgjigjur, në faqen e saj në internet deklaron që pos që ka licencë për tregti e transport të armëve, deklaron që ka edhe licencë për “prodhimin e armëve, pjesëve të armëve dhe municionit”.

    Nuk tregohet koha se kur ata e morën licencën për prodhimin e armëve e municionit.

    Më 3 shtator të këtij viti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi në Prishtinë presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, ku temë ishte edhe mundësia e bashkëpunimit mes dy vendeve për prodhimin e municionit.

    “Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia”, thuhej në njoftim e Zyrës së Kryeministrit.

    Në faqe e AFSA Arms pos që thuhet se tashmë ata kanë licencë për prodhim të armëve e municionit. Thonë që kompania u themelua ne vitin 2011 si kompani, derisa në regjistrin e bizneseve ai del të jetë ortak ose pronar në tri kompani me emër të përafërt.

    AFSAR SH.P.K. del që ka pasur regjistrimin, ose ndryshimin e fundit, në gusht 2021 dhe Avni Vllahiu është pronar i 50 përqind të aksioneve, kurse gjysmën tjetër e mban Valon Bajramaj.

    AFSA ARMS SH.P.K. e ka regjistrimin, ose përditësimin e fundit në shkurt 2020 dhe aty i vetmi pronar është Avni Vllahiu.

    Avni Vllahiu është pronar i vetëm edhe tek D.P.Z. “AFSA” është  regjistruar në janar të vitit 2011 dhe ka një njësi me emrin “Elegana” në Besi të Podujevës./GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark