E deponuar në Gjyq si aktakuzë që nga marsi i vitit 2022, procesi për gjykimin e krimit për palestrën në Zhegër të Gjilanit pothuajse ka nisur krejt nga fillimi. Kryetari i trupit gjykues doli në pension, dhe trupi i ri tash po i shqyrton edhe një herë provat që ka deponuar Prokuroria. Por, për çka po akuzohen Mentor Ibishi, Shpend Musa dhe Ardan Guri? Si u bë që as pas shtatë vitesh ky projekt ende nuk ka përfunduar. As kur Qeveria Kurti e mori përsipër e nënshkroi edhe një kontratë të re, ku hise në të mori edhe biznesmeni që njihet si ‘Daja i Vetëvendosjes’? Insajderi sjell detaje të procesit gjyqësore e historikut të projektit
Gazeta Insajderi
Në mars të vitit 2022 Prokuroria e Gjilanit kishte deponuar në Gjykatë një aktakuzë ku për vepra penale në dëm të buxhetit të Komunës e për projektin e sallës sportive në Zhegër i ngarkon tre persona.
Prokuroria në aktakuzë thotë se Mentor Ibishi që nga data “03.09.2018 e deri më datë 03.12.2020, me qellim që të përfitoi dobi për vete ose për personin tjetër nuk i ka përmbush detyrat e tij zyrtare, përkatësisht ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, në të mënyrë që duke qenë i kontraktuar nga Komuna e Gjilanit në cilësi të mbikëqyrësit të punimeve të Palestrës së Sporteve në fshatin Zhegër, Komuna e Gjilanit, në disa pozicione ka rritur sasinë e punëve të kryera, edhe për kundër faktit që punët nuk kanë qenë të kryera, dhe në këtë mënyrë me veprimet e tij i pandehuri ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjilanit, në shumë vlerë prej 81,265.28€”.
Sipas Prokurorisë, ai me këtë veprim a kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Komuna e Gjilanit u dëmtua, sipas Prokurorisë, por kush përfitoi?
“Kompanisë “Vision Project” SH.P.K, i ka siguruar përfitim material për shumën e lartcekur”, thuhet në aktakuzë.
Për këtë, janë akuzuar edhe ndaj pronarit të firmës dhe një punëtorit të saj.
“Të pandehurit Shpend Musa dhe Ardan Guri, nga data 03.09.2018 e deri më datë 03.12.2020, në fshatin Zhegër, K. Gjilan, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve e kanë mashtruar Komunën e Gjilanit, në atë mënyrë që me të fituar tenderin Kompania,,Vizion Project”, me pronar Shpend Musa, i njëjti me datë 12.07.2017, nënshkruan kontratën me Komunën e Gjilanit në vlerë prej 1,108,857.74€, me të filluar punën, për të mbajtur librat ndërtimor në të cilin evidentohen pozicionet dhe sasia e punëve të kryera, angazhon të pandehurin Ardan Gurin, të cilët në librin ndërtimor lidhur me gërmimin e dheut kanë evidentuar se janë gërmuar 23.767.23m/3, ndërsa në fakt kanë qenë të gërmuara vetëm 6461.66m/3, çka do të thotë se kanë evidentuar gërmime më tepër në sasi prej 17.305.57m/3”, thuhet në aktakuzë.
Gjithashtu edhe për shtyllat e betonit, sipas Prokurorisë, në librin ndërtimor të pandehurit kanë evidentuar 172.36 m3, ndërsa sipas matjeve në teren sasitë reale të realizuara për shtylla e betonit janë 90.87 m3, do të thotë ka mos përputhje të sasive të cilat janë paraqitur në situacionet e punëve të kryera, përkatësisht ndryshimi mes sasive të paraqitur në raport me gjendjen reale në teren është 81.49m3, përkatësisht 5133.87 euro, janë paraqitur më tepër sesa gjendja reale, në këtë mënyrë të pandehurit me veprimet e tyre Komunës së Gjilanit i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 81,265.28€, ndërsa Kompanisë,,Vision Project” SHPK, i kanë siguruar përfitim material për shumën e lartcekur.
Shpend Musa dhe Ardan Guri po akuzohen se kanë kryer kanë kryer veprën penale të mashtrimit. mashtrimi nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e nenin 31 të KPRK-së.
Nër vite ky proces është përfshirë nga zhvarritje e anulime seancash, derisa procesi u kthye krejt në fillim pas ish-kryetari i trupit gjykues në këtë rast doli në pension.
Dy vite pasi që ishte deponuar aktakuza, pra në mars 2024 gjykimi nisi më trupin e ry gjykues që kryesohet nga Islam Thaçi dhe anëtarët Sahit Boroci e Rilind Sermaxhaj.
Gazeta Insajderi ka folur me avokaten e njërit prej të akuzuarve, biznesmenit Shpend Musa, avokaten Elvira Haziri.
Ajo thotë se barra me të cilën u ngarkua klienti i saj, nuk ka arritur të provohet nga Prokuroria deri tash.
“Klienti im në këtë rast është i pafajshëm pasi që edhe vet organi i akuzës ka më shumë se sa një ekspertizë të deponuar. Nga kjo del që as vet Prokuroria nuk e ka krejt të qartë se cila është gjendja”, ka thënë avokatja Haziri duke shtuar se “presim që ai të lirohet nga përgjegjësia penale për këto vepra, pa dashur ta prolongojmë çështjen”.
Seanca e radhës pritet që të mbahet më 29 korrik 2024.
2.3 milionë për një sallë sportive, hise mori edhe “Daja i Vetëvendosjes”
Në këtë projekt ishte angazhuar firma ,,Vision Project” SHPK e që tenderi peshonte 1.1 milionë euro dhe përfundoi në Gjyq me aktakuzë, punimet u ndrprënë pasi që kontrata u shkëput.
Krejt projekti kishte nisur në vitin 2017. As në vitin 2024 ende nuk është finalizuar dhe të jepet për përdorim sportistëve.
Për të njëjtin projekt janë kontraktuar edhe 1.2 milionë euro të tjera- tash nga Qeveri e Kryeministrit Albin Kurti, respektivisht Ministria e Kulturës.
Kontrata nga MKRS-ja iu da grupit të kompanive “Global Holding SH.P.K.; ALFA.i; NIKA PrO- IngSH.P.K”.
ALFA.i është në pronësi të biznesmenit Halil Jahaj i njohur edhe si “Daja i Vetëvendosjes.
Në një komunikatë të Qeveris të 24 dhjetorit 2021 thuhej se “ Pas nënshkrimit të kontratës për projektin e palestrës sportive në Zhegër, në këtë vend tashmë kanë filluar punimet. Për të parë nga afër punët, aty sot ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja Daulina Osmani dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni”.
Kryeministri Kurti atë herë pati thënë që Qeveria ka ndarë fonde për ta përmbyllur suksesshëm këtë projekt. “Ne e kemi për obligim që të investojmë këtu dhe kësisoj ta shpiejmë përpara sportin, por edhe aktivitetin shoqëror të këtij vend”, pati thënë ai.
Në vitin 2022 Alban Hyseni e Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku përsëri e patën vizituar këtë sallë sportive “për t’u siguruar që po punohet sipas planit”. E ku Kryetari Hyseni pati thënë thënë se faza e parë e këtij projekti pritet të finalizohet së shpejti.
Në maj të këtij viti u publikuan fotografi dhe një raportim që ky projekt, as me tenderin e ri të dhënë nga Qeveria Kurti, nuk ka përfunduar ende.
Ministria e Kulturës kur u njoftua me këtë fakt kishte thënë se nuk përfundojnë punimet me kohë, kjo kompani mund të penalizohet me shkëputje të kontratës, duke dhënë një përgjigje të shkurtër si “shkon tek shkëputja e kontratës dhe kompania kontraktuese penalizohet për vonesa dhe lajthitje të institucionit”.
Lexo edhe:
/Gazeta Insajderi