×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Afera me tenderë – çka zbuloi Auditori i Jashtëm pas kontrollit tek ‘paria” e gjyqtarëve kosovarë

    Insajderi
    18 June 2024 - 17:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2023, ka gjetur se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shpërblyer me kontrate operatorët ekonomikë të cilët kishin ofertuar me çmime jo normalisht të ulët. Bëhet fjalë për dy tenderë, njëri me vlerë prej mbi 1 milionë euro dhe tjetri 500 mijë euro. Insajderi ju sjell detajet.

    Dhënia e tenderëve sipas ZKA-së në këtë formë ishte bërë për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në procesin e vlerësimit të tenderëve, pasi që oferta janë vlerësuar si total dhe jo nën totale apo pozicione.

    Për çfarë tenderësh bëhet fjalë?

    Zyra Kombëtare e Audimit ka gjetur dy raste, se si sipas tyre KGJK kishte shpërblyer me kontratë Operatorë Ekonomik, të cilët kishin ofertuar me çmime jo normalisht të ulët.

    E kjo, gjithmonë sipas ZKA-së  ishte bërë në mungesë të një deklarate me shkrim e cila përfshinë një shpjegim për çmimin e ulët sipas formularit standard të miratuar nga KRPPJ-a “Shkresa standarde për tenderët jo-normalisht të ulët”, siç kërkohet me rregullat e prokurimit.

    Tenderi i parë që përmendet ka të bëjë me “Renovimin e objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë-Jug”, në vlerë prej 1,274,867, ku thuhet se operatori ekonomik kishte ofertuar me çmim 1 euro për këto pozicione: dy(2) lifta/ashensorë, 15 dyer zjarr qëndrueshme me akses kontroll, një (1) derë të Trezorit zjarr qëndrueshme, 121 dyer te aluminit me dimensione të ndryshme, 41 dritare alumini me dimensione të ndryshme, një (1) pompë automatike për largimin e ujit, tavolinë me konstruksion inoksi dhe knauf ujë rezistent dhe renovimin e shkallëve emergjente metalike.

    Dhe, tenderi i dytë ka të bëjë me “Furnizim me inventar për salla të gjykimeve dhe zyra të shkrimoreve për gjykata dhe SKGJK,” në vlerë indikative 2,790€ dhe vlerë totale 500,000€, OE fitues kishte ofertuar me çmime jo normalisht të ulët në dy pozicione, si: tavolina për takime për 22 persona, me çmim prej 40C/cope, dhe tavolina për takime për 8 persona, me çmim prej 35€/copë.

    Zyra e Auditorit duke iu referuar Ligjit të Prokurimit Publik, thotë se për tenderët jo normalisht të ulët, nëse një operator ekonomik e dorëzon një tender që, është ose duket të jetë jo normalisht i ulët, autoriteti kontraktues do të dërgojë një kërkesë me shkrim tenderuesit ku kërkohet nga tenderuesi që të dorëzojë me shkrim: (i) një ndarje të elementeve përbërëse të tenderit dhe (ii) shpjegime në lidhje me bazën e tenderit, sipas paragrafit 2. tē këtij neni.

    “Më tutje sipas 41.9 te Rregullores 001/2022 për Prokurim Publik, ne rast se një tender duket të jetë jo normalisht i ulët, Autoriteti kontraktues duhet të merr në konsideratë elementet e tenderit përfshirë elementet e nën-totaleve për paga si dhe kompensimet, materialet, kostot fikse dhe profitet. Po ashtu nenit 41.6 parasheh se në rast se një tender (apo njê pozicion i tenderit ku aplikohet çmimi i peshuar për njësi) duket të jetë jo normalisht i ulet, AK duhet të kërkoj me shkrim nga operatori ekonomik i cili ka dorezuar tenderin ose pozicionin e tenderit që duket të jetë jo-normalisht i ulët, një deklarate me shkrim e cila përfshinë një zbërthim të detajuar të pjesëve relevante te tenderit dhe e cila përfshin një shpjegim për çmimin e ulët duke përdorur formularin standard të miratuar nga KRPP-ja “Shkresa standarde per tenderet jo-normalisht të ulet”, thuhet në gjetjen e ZKA-së.

    Si rrjedhojë,  ZKA potencon se Çmimet jo normalisht të ultë për pozicionet e caktuar, mund të kenë qenë përcaktuese në shpërblimin me kontratë, duke ndikuar në eliminimin nga konkurrenca të OE-ve që kanë ofertuar me çmime tregut.

    “Mungesa e sqarimeve shtesë nga OE, mund të ndikojë në mos përmbushjen e kontratës përkatëse”.

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar kryesuesin e KGJK-së se duhet të sigurojë kontrolle efektive tek komisionet e vlerësimit dhe tek zyra e prokurimit me rastin e vlerësimit të tenderëve, ashtu që vlerësimi të bëhet në pajtim me rregullat prokurimit  për të mundësuar konkurrencë të shëndoshë dhe implementimin të plotë të kontratës. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark