Një debat i ndezur dhe i paparashikueshëm po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara mbi tezën se jeta e afrikano-amerikanëve nuk ka aq vlerë sa ajo e të bardhëve. Ekspertët e shëndetit publik thonë se bazuar në statistikat e kufizuara që disponohen, kjo mund të jetë e vërtetë. Për të ndalur vrasjet, dhuna me armë duhet të trajtohet dhe studiohet si çdo çështje tjetër e shëndetit publik.
Nga San Francisco, në Çikago, e deri në Atlanta dhe qytete tjera, protestuesit po bëjnë thirrje për drejtësi për dy afrikano-amerikanët e vrarë nga policia, një në Luiziana, tjetri në Michigan.
Në një protestë në Minesota, disa protestues hodhën fishekzjarre në drejtim të policisë, duke plagosur njëzet e një prej tyre.
Ndërkohë, në një shërbesë përkujtimore në Dallas, për pesë policët e vrarë, Presidenti Obama iu drejtua me një fjalim vendit të tronditur nga tensionet racore dhe vrasjet.
“Jam këtu për të insistuar se ne nuk jemi aq të përçarë sa ç’duket.”
Lëvizja e komunitetit afrikano-amerikan, Black Lives Matter u krijuar si rezultat i vrasjeve të të rinjve afrikano-amerikanë, shumica nga policia, dhe nuk bëhet fjalë thjeshtë për një perceptim.
Një studim i Universitetit të Harvardit krahason vdekjet e meshkujve afrikano-amerikanë të shkaktuara nga policia me ato të meshkujve të bardhë duke filluar nga mosha 15 vjeç. Profesorja Nancy Krieger foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.
“Meshkujt afrikano-amerikanë në krahasim me meshkujt e bardhë ishin nga pesë deri në 19 herë në rrezik më të madh nga vdekjet e klasifikuara si të lidhura me forcat e rendit”.
Profesorja Krieger e quan ndryshimin “absolutisht gjigant” dhe sipas saj ai nënkupton se disa prej këtyre vdekjeve janë të parandalueshme. Studimi bën thirrje për trajtimin e vrasjeve nga policia si çështje të shëndetit publik.
“Kjo ka pasoja të mëdha për shëndetin publik në aspektin e vdekshmërisë, traumave, dhe ndikimit tek familjet dhe komunitetet e përfshira,” thotë Prof. Krieger.
E dashura e Sterling Alton, i vrarë nga policia në Baton Rouge të Luizianës, foli plot emocione mbi këtë çështje në një konferencë shtypi.
“Individët e përfshirë në vrasjen e tij, i lanë pa baba fëmijët, që mbështeteshin tek ai”.
Për trajtimin e këtij problemi si çështje të shëndetit publik, këto vrasje do të duhet të regjistroheshin dhe analizoheshin. Për momentin kjo nuk bëhet. Asnjë agjenci federale e shëndetit publik nuk i mbledh këto të dhëna. Këto agjenci nuk marrin fonde për studimin e këtyre vrasjeve.
“Ne jemi në një pikë ku na mungojnë madje edhe të dhënat bazë që e përshkruajnë problemin; kjo nuk është e pranueshme,” thotë Prof. Krieger.
Studimi i drejtuar nga profesorja Krieger bën thirrje që vrasjet e shkaktuara nga policia së pari të futen në një regjistër zyrtar të dhënash, në mënyrë që ato pastaj të mund të studiohen për të mësuar se si mund të parandalohen./REL