Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka pretenduar se lëvizja e trupave serbe afro 50 metra pranë vijës kufitare me Kosovën ka ndodhur për shkak të “pengimit të kontrabandës me drunj”.
“Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”, thuhet në reagimin e autoriteteve të Serbisë, përcjell Insajderi.
“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, vijon ndër të tjera njoftimi.
Ata kanë pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon “fushatën dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.
ka deklaruar mbrëmë se Serbia ka provokuar duke lëvizur trupat rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, gjegjësisht në territorin e komunës së Kamenicës.
“Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Kurtit.
“Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”. /Insajderi.org/