Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka deklaruar se mbi pesë orë (ende po vazhdon) komuna që ai udhëheq ka ngelur pa furnizim me energji elektrike.
Aliu, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ e quajti “të pa shembullt” mosfurnizimin e gjithë Ferizajt me rrymë për kaq gjatë, shkruan Insajderi.
“Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa i përket furnizimit me energji elektrike. Vetëm sot, mbi 5 orë pa rrymë i gjithë Ferizaj, e kjo gjendje po vazhdon edhe tani. Në terr familjet, në terr mërgimtarët që kanë zgjedhur të kalojnë festat me familjarët e tyre në vendlindje, në terr bizneset që po humbin mijëra euro çdo orë nga dëmet që sjell mungesa e energjisë elektrike”, ka shkruar Aliu.
“Ndonëse përgjatë 7 viteve, Komuna e Ferizajt ka siguruar investime milionëshe në kapacitete të energjisë elektrike, siç është Nënstacioni 110/35/10 kV që do të përurohet më 31 Dhjetor, prapë ferizajasit, përballen me terr”.
Ai ka kërkuar nga qeveritarët dhe KEDS-i e KOSTT-i që “Ferizaj të trajtohet barabartësisht” dhe reduktimet me rrymë të marrin fund. /Insajderi.org/