Agim Aliut i dalin telashe në fillim të mandatit të ri, rritet presioni për shkarkimin e drejtorit të arsimit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Agim Aliut i dalin telashe në fillim të mandatit të ri, rritet presioni për shkarkimin e drejtorit të arsimit

    Insajderi
    21 December 2021 - 22:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dega e Vetëvendosjes në Ferizaj, i ka kërkuar kryetarit të Ferizajit, Agim Aliut largimin e drejtorit të arsimit, Aftrim Llabjani i cili vjen nga PDK, duke e akuzuar për fshehje të vendeve të lira të punës e duke punësuar njerëz të pakualifikuar nga strukturat e PDK-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    Përmes një statusi në facebook VV ka listuar punësimet për gjashtë muajt e fundit që ka bërë Afrim Llabjani në Ferizaj.

    Postimi i plotë:

    AFRIMI I PDK-SË, TË LARGOHET NGA DREJTORIA E ARSIMIT!

    Rasti i Liron e Lirona Krasniqit është rasti që ka arritur të bëj publike padrejtësinë që ushtrohet nga ana e drejtorit Afrim Llabjani, ndaj çdo kandidati e të riu që nuk njeh dikë në komunë, apo nuk është i afërt me PDK-në.

    PAN-i komunal me në krye Afrim Llabjanin në Drejtorinë e Arsimit ka degraduar rëndë cilësinë në arsim duke fshehur vendet e lira të punës, duke punësuar njerëz të pakualifikuar e struktura të PDK-së, gjë që ka pamundësuar konkurencën e përzgjedhjen cilësore për katër vjet rradhazi, e siç duket avazi i njejtë është duke vazhduar edhe gjatë këtij mandati.

    Vetëm gjatë muajve të fundit kjo është pasqyra e të punësuarve nga ana e Afrim Llabjanit:

    Ali Luzha – Drejtor në sh.m.u ‘’ Riza Matoshi ‘’ Nekodim – ish kryetar nëndege të PDK-së

    Bahri Hasani – Drejtor në sh.m.u ‘’ Imri Halili ‘’ Gaçkë – ish nënkryetar nëndege të PDK-së

    Jeton Ahmeti – Drejtor në sh.m.u ‘’ Jeta e Re “ Greme – ish kryetar nëndege të PDK-së

    Hajrije Nebihu – Drejtore në sh.m.l “ Shaban Hashani ‘’ – PDK

    Mexhide Topalli Mjaku – Drejtore në sh.m.u “ Afrim Abazi ‘’- ish deputete e PDK-së

    Gazmend Bytyqi – sh.m.l “ Pjetër Bogdani “ – bashkëshorti i Kristina Bytyqit (ish kryesuese e Kuvendit Komunal)

    Azemine Aliu – Edukatore në çerdhen publike – familjare e nenkryetarit Lulzim Aliu, PDK

    Mimoza Sojeva – sh.m.u (Astrit Bytyqi) – Asambliste e PDK-së

    Miradie Haziri Bytyqi – sh.m.u “Mejdi Xhaferi” Mirosalë – Bashkëshortja e Zekir Bytyqit, ish Drejtorit të Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit

    Përveç punësimeve partiake e familjare janë punësuar edhe njerëz të padiplomuar në shumë prej shkollave, pra padrejtesia nuk është bërë vetëm ndaj Lironit por ai është guximtari që e shpërfaqi këtë përmes përgjimeve.

    Këto punësime kanë ndodhur dhe reagimi i bërë publik në faqen e komunës se pretendimet e kandidatëve Krasniqi janë të pavërteta është mashtrimi i rradhës, të pakualifikuarit janë punësuar dhe për këtë kemi dëshmi:

    Ndaj kërkesës sonë drejtuar Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, për çasje në dokumente zyrtare të cilat do na vërtetonin dyshimet rreth mënyrës së punësimit, na eshte kthyer përgjigje nga zyrtari i Qasjes ne Dokumente Zyrtare, z.Albion Sherifi, i cili thotë se në disa shkolla janë punësuar kandidat të pakualifikuar, konkretisht:

    5 mësimdhënës për lëndën Gjuhë Gjermane

    3 mësues klase

    3 mësimdhënës për lëndën Fizikë

    Zyrtarisht këta janë të pakualifikuar, por edhe sa të tjerë mund të jenë është mirë të hulumtohet nga ana e institucioneve përgjrgjëse, e rasti i Liron e Lirona Krasniqit të merret seriozisht ngase janë dëshmi e gjallë e krimit që po ndodhë në arsim.

    Institucionet arsimore duhet të jenë shembull e shkolla tempull i dijes, mirëpo me këto shkelje e në këto kondita është e pamundur.

    Nga një qytet që në garat e diturisë barte vendin e parë në nivel vendi, kemi kaluar në qytetin me udhëheqjen më skandaloze në arsim.

    Mësimdhënës të pakualifikuar, shkolla që punojnë me katër ndërrime, me orë mësimore vetëm 25 minutshe si në rastin e shkollës “Gjon Serreçi”, me shkolla që ju mungojnë kushtet elementare higjieno-sanitare, që kundërmojnë gjithandej, me mësimdhënës meritor që nuk trajtohen denjësisht e detyrohen të humbin orët mësimore për shkak të presionit partiak si në rastin e shkollës m.l. “Kuvendi i Arbërit”, e që kompensimet për shujta e shpenzime të transportit nuk i kanë marrur as pak kaq vitesh, që detyrohen nëpërmjetë të përmbaruesve të marrin nga komuna si institucion atë që ju takon.

    Ne si Lëvizje VETEVËNDOSJE, kërkojmë dorëheqjen e Afrim Llabjanit, dhe e dënojmë rëndë faktin që është riemëruar në pozitën e Drejtorit të Arsimit nga ana e Agim Aliut, me vetëdijen e plotë se i njejti pas padisë së bërë nga Lirona Krasniqi është dënuar nga ana e Inspektoriatit të Punës, në vlerën monetare prej 3500 euro, për shkelje ligjore të procedurave të konkursit e kritereve të punësimit në të paktën 4 shkolla e në rastin e 7 mësimdhënësve.

    Duhet dorëhequr jo vetëm për shkeljet ligjore në punësime, për padrejtësinë e bërë ndaj kandidatëve, brezave të rinj të mësimdhënësve, mospërmirësimit të kushteve nëpër shkolla, mbi të gjitha duhet dhënë dorëheqje për shkak të dëmit të pariparueshëm që ka bërë tek nxënësit e shkollave fillore e të mesme, të cilëve për mësimdhënës u caktoi persona joprofesionist e kryekëput partiak!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark