
Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu deklaroi se kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku nuk ka qare pa treguar se cila është arsyeja që mori masa ndaj tij, e që sipas tij ishte një masë e kundërligjshme dhe jo sipas statutit të partisë.
Veliu tha në ‘Pressing’ të T7 se vendimi i Abdixhikut ndaj tij është “inatçor”.
“Sa i takon rënies së LDK-së, LDK ka ra në gjithë Kosovën dhe ndaj askujt nuk është marrë asnjë masë. Në tërë atë rënie, LDK në Podujevë ka qenë forca kryesore e para në Kosovë me përqindje dhe gjithë kolegët e mi kanë qenë humbës më të mëdhenj sesa unë, ndërsa masa është marrë vetëm tek unë”, tha Veliu.
“Këtu shihet që Lumir Abdixhiku ka diçka personale me mua edhe ai kurrë nuk e ka sqaru çfarë ka personale me mua, por do të vijë një ditë që nuk ka qare pa e tregu cila është arsyeja që ai ka marrë masa të kundërligjshme ndaj meje”, shtoi ndër të tjera ai.