Gazeta Insajderi, ka raportuar të mërkurën se Nora Kelmendi, ish-këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, ka 10 muaj që është e angazhuar në një projekt të Bankës Botërore që implementohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Aty ajo merr pagën prej 24 mijë euro si eksperte. Kelmendi pikërisht në këtë institucion po synon ta zë pozitën e drejtoreshës ekzekutive
Nora Kelmendi është angazhuar si specialiste në kuadër të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër dhe për Informacione Gjeohapësinore. Ajo ka nisur zyrtarisht punën në janar të këtij viti.
Ajo paguhet 24 mijë euro për këtë angazhim ndërsa kontrata e saj është valide deri në gusht të vitit të ardhshëm.
Informacionet i kanë konfirmuar edhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
“Z-nja Nora Kelmendi në Agjencinë Kadastrale të Kosovës është angazhuar në cilësinë e Specialistes për Monitorim dhe Vlerësim në kuadër të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër dhe për Informacione Gjeohapësinore”, thuhet në përgjigjen për Gazetën Insajderi.
“Nora Kelmendi ka filluar punën në këtë projekt me datë 3 Janar të vitit 2022, ndërsa kontrata e saj zgjat deri në gusht të vitit 2023”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.
Pas publikimit të tekstit ky institucion ka reaguar, duke thënë paga prej 24 mijë eurove është e paraparë për dy vite.
AKK po ashtu tha se paga mujore e saj është 1 mijë e 200 euro në muaj.
“Shuma prej 24.000 eurosh sa pretendon artikulli që paguhet z-nja Nora Kelmendi për një vit në fakt është shumë e paraparë për dy vite. E për të qenë akoma më të saktë, Nora Kelmendi ka bruto page mujore 1200 euro, respektivisht neto pagë mujore rreth 1000 euro”, thuhet në reagimin e AKK-së.