Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar agjendën tre ditore për të përkujtuar tetë vjetorin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari.
Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka theksuar se VV-së i konvenon që ky rast të mbetet i pazbardhur, duke e përdorur atë për përfitime politike.
Në një postim në Facebook, Gruda akuzoi Qeverinë Kurti se gjatë mandatit të saj janë zhdukur mostrat e Deharit dhe se dy herë është djegur objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Në përvjetorin e 8-të të vdekjes së Astrit Deharit, Lëvizja Vetëvendosje, në vend që të punojë për zbardhjen e rastit të ti, paska organizuar turne shahu dhe ping-pongu”, ka thënë ai.
Gruda theksoi se pas katër vjetësh në pushtet, qeveria jo vetëm që nuk ka kontribuar në ndriçimin e rastit, por përkundrazi, ka vepruar për ta mbajtur të errët, duke e përdorur këtë situatë për interesa politike.
“Pas katër vitesh në pushtet, jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për të ndriçuar këtë rast, por përkundrazi, kanë zhdukur mostrat e ti dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë. E kam thënë në fillim të mandatit të kësaj Qeverie dhe disa herë të tjera: ata nuk duan të zbardhin rastin Dehari, sepse vetëm të pazbardhur mund të vazhdojnë ta përdorin politikisht”, ka deklaruar Gruda.