Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim se gazetarët në Kosovë po përballen me presion të shtuar gjatë ushtrimit të profesionit.
“Vetëm gjatë viteve 2014 dhe 2015 në AGK janë raportuar 27 respektivisht 24 raste të sulmeve, kërcënimeve, presioneve, fyerjeve dhe pengimit në punë të gazetarëve, që tregon për rritje të numrit krahasuar me rastet e raportuara në vitet paraprake ku kanë qenë 15 deri 18 raste”.
“Bazuar në raportet ndërkombëtare për lirinë e medies, Kosova vazhdon të mbetet një shtet gjysmë i lirë me liri të pjesshme të të shprehurit dhe ambient të pa favorshëm për ushtrimin e profesionit të gazetarisë”.
“Duke marr parasysh këtë gjendje, AGK kërkon nga institucionet e Kosovës që t`i zbatojnë mekanizmat ligjor për mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e lirisë së shprehjes, si një ndër elementet fundamentale të demokracisë” thuhet në një kumtesë të këtij asociacioni, transmeton Klan Kosova.
AGK po ashtu ka thënë se përveç sulmeve kërcënimeve dhe presionit të jashtëm nga politika, grupet e interesit dhe institucioneve të tjera, “gazetarët janë të privuar nga të drejtat elementare të punës”.
Sipas statistikave, nga rreth 400 anëtarët e AGK-së, 30 përqind e kolegëve gazetarë punojnë në medie pa kontrata pune dhe paguhen jo dinjitetshëm për punën që bëjnë.