Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar kërcënimin me vrasje të gazetarit Ilir Mirena.
Përmes një reagimi, AGK ka shkruar se është alarmuar me kërcënimin me vrasje që gazetari dhe drejtuesi i portalit “Periskopi”, Ilir Mirena ka marrë sot.
Mirena e ka postuar në Facebook një koment në të cilin një person i shkruan: “Ky veq plumin e ka hak e meriton”.
“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me natyrën kërcënuese për jetë të mesazhit, dhe e fton Policinë e Kosovës që ta hetojë urgjentisht rastin. Ky kërcënim është vazhdimësi e të tjera kërcënimeve të ngjashme ndaj gazetarëve dhe aktivistëve në kohët e fundit”, thuhet në reagim.
AGK-ja e fton sërish Qeverinë e Kosovës dhe partinë në pushtet, që të mos nxisë, por të kontribuojë në zbutjen e diskursit të rënduar publik kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë.