AGK-ja dënon sulmet e vazhdueshme të Kurtit e Vetëvendosjes ndaj mediave dhe gazetarëve – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    AGK-ja dënon sulmet e vazhdueshme të Kurtit e Vetëvendosjes ndaj mediave dhe gazetarëve

    Insajderi
    07 February 2025 - 13:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmet dhe fushatën e vazhdueshme kundër mediave dhe gazetarëve që është bërë nga kryeministri Albin Kurti dhe partia në pushtet, përfshirë edhe këtë muaj të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    AGK në reagim ka përmendur edhe sulmin e djeshëm të Kurtit të bërë ndaj mediave, ku në një intervistë për një televizion lokal i ka quajtur si pjesë të “trekëndëshit të bermudeve që dëshiron ta fundosë Kosovën”.

    “AGK-ja konsideron se sulme të tilla janë presion i papranueshëm ndaj mediave që të bëjnë punën e tyre, në një fazë të rëndësishme siç është kjo e fushatës zgjedhore. Gjuha nxitëse nga ana e partisë në pushtet e vështirëson ndjeshëm mundësinë e raportimit. Bojkoti i Vetëvendosjes ndaj 3 televizioneve nacionale gjithashtu ka ndikim në ofrimin e transparencës dhe është shmangie e llogaridhënies ndaj një pjese të rëndësishme të publikut”, thuhet në reagim.

    Reagimi i plotë:

    AGK-ja e dënon fushatën e vazhdueshme kundër mediave dhe gazetarëve nga kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje

    Në vazhdimësi të 4 viteve të qeverisjes, partia politike Vetëvendosje dhe lideri i saj, kryeministri Albin Kurti, kanë intensifikuar sulmet e papranueshme ndaj mediave dhe gazetarëve gjatë gjithë muajit të fushatës elektorale, për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit. 

    Në një intervistë për një televizion lokal, kryeministri Kurti ka thënë se “portalet janë pjesë e Trekëndëshit të Bermudës që duan ta fundosin Kosovën”. Pothuajse në të gjitha tubimet zgjedhore në qytete të ndryshme, Kurti ka përdorur gjuhë denigruese dhe sulmuese ndaj mediave, gazetarëve dhe komentatorëve të debateve televizive. 

    Ekipe gazetarësh, duke përfshirë ata të Klan Kosova dhe Nacionale, janë penguar nga zyrtarë të Vetëvendosjes në disa tubime zgjedhore, në përpjekje për të pamundësuar raportimin nga terreni. 

    AGK-ja konsideron se sulme të tilla janë presion i papranueshëm ndaj mediave që të bëjnë punën e tyre, në një fazë të rëndësishme siç është kjo e fushatës zgjedhore. Gjuha nxitëse nga ana e partisë në pushtet e vështirëson ndjeshëm mundësinë e raportimit. Bojkoti i Vetëvendosjes ndaj 3 televizioneve nacionale gjithashtu ka ndikim në ofrimin e transparencës dhe është shmangie e llogaridhënies ndaj një pjese të rëndësishme të publikut. 

    Mediat kanë obligim ligjor dhe ndaj publikut që, në kohë zgjedhjesh, të ofrojnë për shikuesit/lexuesit e tyre premtimet dhe programet e të gjitha partive politike, në mënyrë të barabartë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark