AGK-ja, e shqetësuar me gjetjet e DASH-it për lirinë e shprehjes në Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    AGK-ja, e shqetësuar me gjetjet e DASH-it për lirinë e shprehjes në Kosovë

    Insajderi
    13 April 2022 - 14:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) javë më parë ka evidentuar se gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike.

    Me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka shprehur shqetësimin lidhur me gjetjet kryesore të Raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovë.

    Në raportin e publikuar këtë javë thuhet se pavarësisht që në përgjithësi u respektua liria e shprehjes, sërish pati tentime për frikësim të përfaqësuesve të mediave nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.

    Raporti i DASHIT evidenton se problemet e financimit gjithashtu dëmtuan pavarësinë e mediave, si dhe pati vështirësi në marrjen e informatave nga Qeveria dhe institucionet publike.

    “Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhet në raport.

    Sipas raportit, mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, disa zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me Qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara.

    Departamenti Amerikan i Shtetit citon raportet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për sulmin fizik ndaj Visar Duriqit, intervistimin nga Prokuroria të Parim Ollurit për raportimin për vaksinat, si dhe kërcënimin e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj portalit “Albanian Post”, si tri prej incidenteve më të rënda në vitin 2021.

    AGK-ja vlerëson se gjetjet e raportit duhet të jenë alarm për institucionet e vendit që duhet të angazhohen në krijimin e një ambienti më të mirë e të sigurt të të bërit gazetari.

    AGK-ja gjithashtu fton pronarët e mediave që të lejojnë që gazetarët të raportojnë pa u censuruar e frikësuar se do të humbasin vendin e punës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark