
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar nëpërmjet një komunikate, atë që Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kërkuar të mërkurën mbrëma duke kërkuar dënimin e gazetarit Vehbi Kajtazi, që shkroi për vëllanë e kryeministrit që ka kërkuar azil për shërim jashtë vendit.
“AGK kundërshton çdo lloj etiketimi dhe presioni mbi gazetarët dhe medien e pavarur. Tendencat, që politika tu bëjë gjyq gazetarëve, janë të pa pranueshme në një shtet demokratik”, thuhet në komunikatë.
Të mërkuren Kolegjiumi i pesë degëve të LDK-së së Prishtinës, të cilat udhëhiqen nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili është sekretar i Përgjithshëm i LDK-së së Isa Mustafës, ka kërkuar që kryeredaktori i Insajderit, Vehbi Kajtazi “ta marrë dënimin e merituar” për shkrimin e tij, që qiti në pah faktin se vëllai i kryeministrit Isa Mustafa, ka kërkuar azil në dy vende të BE-së.
Njejtë kishin kërkuar edhe diaspora e Lidhjes Demokratike të Isa Mustafës në Zvicër, Suedi, Norvegji dhe Beneluks i janë bashkuar thirrjes së LDK-së në Prishtinë për dënimin e gazetarit të Insajderit, Vehbi Kajtazi.
Përpara se të reagojnë këto degë, vet kryeministri e kishte kërcënuar gazetarin duke e quajtur “qen bir qeni”
Ndërhyrja politike në punën e gazetarëve dhe cenimi i fjalës së lirë sipas AGK-së është i pa tolerueshëm, kundër interesave shoqërore dhe ligjeve ne fuqi.
“Përpjekja e të zgjedhurve të popullit për të anashkaluar organet e drejtësisë, paraqet rrezik për gazetarët dhe pasiguri në punën e tyre. AGK e dënon ashpër çdo tentativë të kujtdo që mendon se mund ta ndal raportimin profesional”, thuhet në reagimin e AGK-së.