Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është njoftuar nga Policia e Kosovës se gazetari Musa Mustafa ka bërë ‘raportim jo të vërtetë’ para dy ditësh kur ka pretenduar se ishte kërcënuar me jetë përmes telefonit.
Përmes një komunikate për medie, AGK-ja ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me policinë dhe me gazetarin Mustafa deri në mbylljen e çështjes.
“Në lidhje me këtë rast, AGK-ja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të dyjat palët, si me Policinë Kosovës ashtu edhe me gazetarin Mustafa. Megjathatë, policia ka njoftuar se hetuesit policorë mbi provat e siguruara kanë ngritur dyshime të bazuara për vepër tjetër penale ndaj ankuesit në fjalë, ndaj të cilit është iniciuar kallëzim penal për vepër penale ‘lajmërim apo kallëzim i rremë’”, njofton AGK-ja.
Ashtu siç vepron edhe me rastet e tjera, AGK-ja do të monitorojë zhvillimin e metutjeshëm të këtij rasti deri në një vendim përfundimtar, njofton komunikata.
“Ne jemi të angazhuar që të bashkëpunojmë me institucionet e Republikës së Kosovës në zbardhjen edhe të këtyre rasteve si dhe çdo lloj kërcënimi, shantazhi, sulmi apo formave të tjera të presionit që ushtrohen ndaj gazetarëve. Andaj duke u nisur nga kjo, në inkurajojmë të gjitha organanet e drejtësisë që të vazhdojnë punën në zbardhjen e jo vetëm këtij rasti porse edhe të rasteve të tjera”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Gazetari nga Mitrovica, Musa Mustafa i cili para dy ditësh kishte deklaruar se ishte kërcënuar përmes një sms në gjuhën serbe, në fakt është vet kërcënuar.
Insajderi merr vesh nga burimet, se numri i telefonit nga i cili Mustafa pretendonte se ka marrë mesazhe figuron në emrin e nipit të tij (djalit të motrës).
Sipas këtij burimi vet Mustafa kishte blerë një telefonon ku e kishte vendosur kartelën nga e cila i ka dërguar sms vetës, e kishte ndalur telefonin e mandej e kishte lajmëruar rastin në polici. /Insajderi.com