
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi një ekip i gazetarëve të RTV Dukagjinit është sulmuar fizikisht përderisa po raportonin për deklarimin e të hyrave në ATK.
Ata kanë dënuar fuqishëm sulmin ndaj gazetarëve.
“Një ekip i RTV Dukagjinit, i pëbërë nga gazetari Liridon Llozani dhe kameramani Diamant Maxharraj janë sulmuar fizkisht sot derisa po raportonin në lagjen Pejton të Prishtinës për deklarimin e të hyrave në ATK. Njëri prej pronarëve të një lokali në vendin ku ekipi po xhironte fillimisht ka provuar të ndalojë filmimin, e më pas edhe e ka goditur kameramanin, Maxharraj”, thuhet në reagim.
Sipas tyre gazetarët rastin e kanë paraqitur në polici.
“Gazetarët e kanë lajmëruar menjëherë Policinë, e cila e ka arrestuar këtë person. Ata gjithashtu e kanë dhënë deklaratën në stacionin e policisë për incidentin”, thuhet ndër të tjerash.