AGK ka reaguar pas deklaratës së zyrës së Gjykatës së Apelit, të cilët thanë sot se përfshirja e Asociacionit të gazetarëve në aktvendimin e Gjykatës së Apelit që të rikthejë në shkallën e parë kërkesën e Grabovcit për ndalim të publikimit të përgjimeve nga Insajderi.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për medie, shprehet se do vazhdojë të reagojë në raste që përfshijnë gazetarët.
“AGK falenderon Gjykatën e Apelit që përcjellë reagimet e gazetarëve. AGK do të vazhdojë të reagojë në raste që përfshijnë gazetarët edhe kur këto reagime nuk mirëpriten nga autoritetet shtetërore”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ata i kanë bërë thirrje Gjykatës Themelore që të shqyrtojë rastin “Insajderi-Grabovci” bazuar në standardet e Gjykatës Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
“Ne dëshirojmë të përsërisim – duke mos paragjykuar vendimin final të gjykatës – që presim nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe instancat tjera gjyqësore që të shqyrtojnë këtë rast bazuar në standardet e krijuara nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe Këshilli i Europës”, shprehet AGK.
AGK u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, si zyra e BE-së apo OSBE-ja, që të monitorojnë nga afër rastin gjyqësor kundër Insajderit.
“Njëkohësisht i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, sidomos OSBE-së, Këshillit të Europës dhe zyrës së BE-së të monitorojë nga afër rastin gjyqësor kundër gazetës Insajderi”, thuhet në reagim.
Gjykata e Apelit ka pritur pesë ditë për të dal me reagim publik, ditën e sotme. Ka treguar se nuk i kanë pëlqyer shkrimet e Insajderit dhe e ka vlerësuar si të panevojshëm reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
“Gjykata e Apelit shprehet e indinjuar lidhur me gjuhen fyese, shpifëse dhe paragjykuese të portalit online Insajderi, kundrejt kësaj gjykate dhe disa gjyqtarëve të saj”, thuhet në reagimin e sotëm për media të këtij institucioni. /Insajderi.com
Gjykata e Apelit në rolin e avokatit të Grabovcit kundër Insajderit