Shkruan: Shkelzen Sopjani
Agresioni rus në Ukrainë
Çka kemi mësuar deri tani?
1. Shërbimet inteligjente perëndimore, veçanërisht amerikane dhe britaneze kanë qenë jashtëzakonisht të sakta në parashikimet e tyre. Herën e parë, zgjodhi të zbulojë të gjitha informacionet për publikun shumë më herët në mënyrë që të parandalojë çdo keqinterpretim të synimeve dhe agresionit rus kundër Ukrainës.
2. Rusia ka dështuar në planifikim dhe analizë. Plani i tyre fillestar për të pasur një fitore të shpejtë dështoi dhe tani ata iu drejtuan operacioneve më të rënda. Ata po përpiqen në mënyrë të dëshpëruar të kërcënojnë popullsinë civile, duke përdorur armë të ndaluara. Kjo krejtësisht do ta ndryshojë Rusinë dhe popullatën ruse dhe atë duke e dobësuar.
3. Rusia siç duket, gabimisht ka llogaritur në përfshirjen e Kinës. Siç po duket, Kina i ka dhënë përshtypje Rusisë se do të përfshihet, qoftë përmes pushtimit të Taiwanit apo edhe rritur numrin e ishujve në detin kinez dhe zonat tjera, por Kina u bë e mençur dhe e u zmbraps duke e lënë rusin vetëm. Kina siç po duket po llogaritë në një botë bipolare e jo multipolare dhe heshturazi po i duartroket rënies së Rusisë.
4. Rusia po ashtu ka llogaritur në ndasitë dhe përçarjen në mesin e Europianëve dhe fuqive tjera perëndimore, përfshirë NATO-në mirëpo kjo llogari ju ka kthyer në bumerang, duke e bërë perëndimin më të bashkuar se kurrë më parë. Shih veprimet e fuqive perëndimore, me theks të veçantë SHBA, Turqi, Britani dhe Gjermani. Edhe BE-ja mori vendim historik dhe dërgoi armë dhe ndihmë ushtarake në Ukrainë (dedikuar 500 mln euro)
5. Populli Ukrainas ka treguar vendosmëri dhe trimëri të jashtëzakonshme. Kjo i ka prishur planet e pushtimit rus. Rusia siç po duket ka llogaritur në dorëzimin e parakohshëm. Respekt dhe përulje për Ukrainasit. Populli Ukrainas ka riafirmuar kombësinë e tyre dhe përkushtimin për vendin e tyre dhe edhe nëse në skenarin më të keq të mundshëm Russia e shtrin kontrollin në territorin e Ukrainës ata kurrë nuk do të jenë në gjendje ta mbajnë këtë kontroll. Populli Ukrainas është duke bërë historinë sa i përket ndërtimit të kombit dhe Zelinsky është shndërruar në një hero të pa kontestuar dhe do ti shërbej këtij qëllimi përgjithmonë.
6. Po ashtu, po shihet se teknologjia ushtarake (përjashto kapacitetet bërthamore) Ruse nuk është siç është menduar dhe në masë të madhe është e vjetërsuar dhe nuk krahasohet me teknologjinë perëndimore, pavarësisht viteve të gjata të modernizimit të vazhdueshëm ushtarak. Gjithashtu, mund të vëmë në dyshim profesionalizmin e udhëheqjes ushtarake ruse duke parë operacionet në terren. Kjo sigurisht se do të ketë ndikim të rëndësishëm edhe në rolin e Rusisë në arenën ndërkombëtare.
7. Putin kurrë më nuk do të konsiderohet apo trajtohet si një lider i respektuar nga perëndimi dhe sipas të gjitha gjasave, nëse ndodh kjo që po ndodh në Ukrainë që i bie ngadalësim i jashtëzakonshëm në pushtim dhe kur kësaj ja shtojmë pasojat ekonomike dhe gjakderdhjen financiare të Rusisë e cila çdo ditë është jashtëzakonisht e madhe atëherë realisht mund të presim që shumë shpejt do të kemi ndryshim të lidershipit në rusi. Edhe ashtu ky lideship nuk i ngjanë shumë një strukture tipike diktatoriale si psh. Stalin apo Hitler, por më shumë i ngjan një strukture mafioze. Kur anëtarët e një organizate mafioze humbin mbrojtjen dhe përfitimin ata ikin nga organizata dhe e ndërrojnë atë.
8. Ky ndryshim mund të vjen qoftë përmes ndonjë reforme por më shumë ka të ngjarë përmes ndonjë revolucioni. Sigurisht se oligarkët përreth Putin do të jenë ata të cilët do të ndikojnë dhe do e ndihmojnë këtë ndryshim dhe atë për ti kufizuar humbjet e tyre.
9. Lufta dhe rezultati i kësaj Lufte në Ukrainë do të ri-përcaktoj thellësisht rendin e ri botëror. Në Ukrainë po mbrohet demokracia dhe vlerat perëndimore, andaj kjo luftë nuk është vetëm e Ukrainës por e të gjithë neve që i përkasim dhe besojmë në këto vlera.
10. Kjo luftë do të ketë ndikim thelbësor edhe në rajonin tonë dhe sigurisht se më së shumti ka dëmtuar Serbinë dhe lidershipin e saj. Nga java e kaluar Serbia ka humbur reputacionin në perëndim.
Autori është avokat nga Prishtina