Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Drejtorët e Drejtorive Komunale ka mbajtur dëgjimin e përgjithshëm publik me qytetarë.
Para disa dhjetëra qytetarëve pjesëmarrës, Kryetari Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës është e përkushtuar që të dëgjojë hallet, e shqetësimet e qytetarëve, si dhe kritikat e lëvdatat për punën e saj.
Në vazhdim ai dëgjoi me vëmendje disa nga shqetësimet e qytetarëve dhe u përgjigj në të gjitha ato.
Në pyetjen për organizimin e festimeve dhe aktiviteteve të ndryshme në sheshin “Zahir Pajaziti, kryetari Ahmeti tha se vetëm afër 25% e kërkesave për organizimeve janë miratuar dhe që të gjitha kanë leje vetëm deri në ora 23:00 dhe jo më tepër.
Sa i përket lagjes së Veternikut dhe mungesës së shkollës çerdhes dhe ambulancës, Ahmeti tha se Komuna i ka pas të ndara 450 mijë euro për ndërtimin e shkollës, mirëpo asnjë prej banorëve nuk pat treguar gatishmëri që pronën private ta shkëmbejë me Komunën për të siguruar hapësirë për ndërtim.
Dëgjimi vazhdoi edhe me diskutime për subvencionimin e prindërve për koston e çerdhes, planin rregullativ të lagjes Kalabria apo transportin publik në Koliq. /Insajderi.com