
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka konfirmuar se është bastisur shtëpia e ish-drejtorit të Kadastrës në Komunën e Prishtinës, Sabedin Haxhiu.
Sipas Ahmetit, krimi i organizuar ka qenë i thellë dhe gjithëpërfshirës nga qeverisja e kaluar në Prishtinë.
“Këto bastisje që po ndodhin sot tashmë kanë prekur edhe ish drejtuesit në Komunë e ndërmarrje publike të Prishtinës. Sabedin Haxhiu ka qenë edhe drejtor në kadastër edhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore”, ka thënë ai.
“Ka më shumë se dy vite që flasim për atë që ka ndodhur në komunën e Prishtinës, prej ndërtimeve pa leje e deri te tjetërsimet e pronave komunale. Kemi thënë që shifrat janë marramendëse. Kemi deponuar kallëzime penale e kemi kërkuar hetime urgjente”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.
“Besoj se po bëhet dita ditës me e qartë se pse gjithë ajo zhurëm në Kuvendin Komunal. Po ashtu, po bëhet më e qartë se pse nuk duhet të lejojmë kthimin e ndërmarrjeve publike komunale në duar të krimit. Ne nuk do të ndalemi në këtë luftë kundër krimit, korrupcionit dhe të këqijave në vendin tonë.”.
EULEX-i ka filluar sot një aksion të madh për arrestimin e rreth 50 personave për korrupsion e krim të organizuar. Një ndër ta është edhe deputeti i PDK-së, Azem Syla/Insajderi.com