Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sërish ka ngritur alarmin për sulmet nga qentë endacakë. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka thënë se sulme të tilla janë bërë “të përditshme dhe shumë të rrezikshme.”
“Para 6 muajsh kam kërkuar që të shpallet emergjencë shtetërore në Këshillin Kombëtar të Sigurisë. Jam sulmuar nga OJQ-të për mbrojtjen e kafshëve se kam kërkuar diçka radikale, edhe pse nuk kam sygjeruar zgjidhje të një opcioni apo tjetrit. Nuk ka pas ndonje përgjigje nga institucionet e nivelit qëndror”, ka thënë ai.
Ai është ankuar se kapacitetet buxhetore të komunave nuk janë të mjaftueshmë për t’u përballur me problemin.
“Edhe njëherë po e them, me këtë legjislacion dhe me këto kapacitete buxhetore, komunat nuk kane mundësi me u përball vetë me këtë problematikë. Urgjente është nevoja për ngritje të nivelit të emergjencës para se me ndodhë ndonjë fatalitet pa marr parasysh në cilën komunë ndodh. Jeta është jetë!”, ka thënë Ahmeti.
“Ne jemi të gatshëm të participojmë edhe me fonde, edhe me lokacion, por nevojitet një strategji në gjithë Kosovën.”/Insajderi.com