
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur sot në takim deputetët serb të Kuvendit të Kosovës, Slavko Simic, Nenad Rasic, Milka Vuletic, Milena Milicevic dhe Bojan Mitic.
Siç njofton Komuna e Prishtinës, gjatë takimit delegacioni i Kuvendit u interesua për gjendjen e përgjithshme në komunën e Prishtinës me fokus të veçantë në situatën e qytetarëve Serb në komunën e Prishtinës.
Në takim u diskutua edhe çështja e objektit të Kishes Ortodokse Serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës. Përderisa deputetët shprehën shqetësimin për gjendjen ekzistuese dhe statusin e ardhshëm të Kishës Ortodokse që gjendet në oborrin e Universitetit të Prishtinës.
“Kryetari Ahmeti potencoi edhe një herë se kjo çështje është politikisht e ndjeshme dhe se do të procedohet me kujdes. Përderisa Komuna e Prishtinës nuk ka përgjegjësi për gjendjen e tashme të sigurisë, u diskutua për nevojën e definimit të statusit ligjor të këtij ndërtimi,” njofton Komuna e Prishtinës.
“Komuna e Prishtinës çdo ndërtim në Prishtinë e trajton sipas ligjeve në fuqi prandaj edhe ka bërë thirrje që të paraqitet i gjithë dokumentacioni ekzistues në Komunë për ta trajtuar më tutje. Çështja e pronësisë së tokës, destinimit të saj dhe çështje të tjera të lirive fetare janë përgjegjësi të institucioneve të tjera relevante në Republikën e Kosovës”./Insajderi.com