“Ai është një hero i heshtur, jo fajtor” – Bashkëshortja e Arbnor Spahiut i bën thirrje Osmanit dhe qeverisë që të reagojnë pas ndalimit të tij nga Serbia - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ai është një hero i heshtur, jo fajtor” – Bashkëshortja e Arbnor Spahiut i bën thirrje Osmanit dhe qeverisë që të reagojnë pas ndalimit të tij nga Serbia

    Insajderi
    11 June 2025 - 09:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bashkëshortja e ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ndodhet i arrestuar në Serbi dhe po akuzohet për “vrasje të rëndë” në rastin e Banjskës, ka kërkuar publikisht ndërhyrjen dhe reagimin e institucioneve të Kosovës, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani, shkruan Insajderi.

    Arieta Spahiu shprehu zhgënjimin e thellë për heshtjen institucionale që, sipas saj, po e shoqëron arrestimin dhe trajtimin e bashkëshortit të saj.

    Ajo e quajti këtë heshtje një padrejtësi që po rëndon mbi të gjithë familjen dhe tha se Arbnori ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje.

    “Arbnori ka kontribuar për sigurinë e Kosovës për vite me radhë. Dhe sot, kur ai ka më shumë se kurrë nevojë për përkrahje, është lënë në heshtje. Asnjë institucion nuk ka reaguar. As Presidentja e vendit, as Kuvendi, as askush tjetër. Dhe kjo heshtje është një dhimbje tjetër për familjen time,” tha Spahiu në një prononcim për Televizionin Dukagjini.

    Ajo iu drejtua Presidentes përmes një thirrjeje publike duke kërkuar që të marrë qëndrim dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur ish-policët që, sipas saj, i kanë shërbyer vendit me sakrificë, por sot po përballen me harresë.

    “Zonja Presidente, është përgjegjësi morale dhe shtetërore që institucionet e vendit të reagojnë, të mbrojnë dhe të përkujdesen për ata që e kanë mbrojtur këtë shtet kur ishte më së vështiri,” u shpreh ajo.

    Arieta Spahiu e quajti bashkëshortin e saj “një hero të heshtur të këtij vendi” dhe paralajmëroi se mungesa e reagimit institucional mund të krijojë precedent të rrezikshëm për të gjithë ata që i kanë shërbyer shtetit në momente të vështira.

    “Nuk po flas këtu vetëm si bashkëshorte. Po flas si qytetare. Sepse nesër kjo mund t’i ndodhë dikujt tjetër,” përfundoi ajo, duke i bërë thirrje edhe mediave dhe shoqërisë civile që të mos heshtin përballë kësaj çështjeje.

    Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus. Atij iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, konfirmoi Gjykata e Lartë në Suboticë për Radion Evropa e Lirë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark