Amnesty International thotë se numri i konfirmuar i ekzekutimeve në botë është rritur në nivelet më të larta në vitin 2015, në më shumë se dy dekada. Kjo vjen për shkak të rritjes së përdorimit të dënimit me vdekje në Iran, Pakistan dhe në Arabinë Saudite.
Në një raport, të lëshuar të mërkurën, ky grup i të drejtave të njeriut, me bazë në Londër, tha se të paktën 1,634 ekzekutime janë regjistruar në botë gjatë vitit 2015, një rritje prej rreth 50 për qind krahasuar me numrin prej 1,061 ekzekutimesh të regjistruara në vitin paraprak.
Shumica e këtyre dënimeve me vdekje, të konfirmuara, kanë ndodhur në Iran, Pakistan dhe në Arabinë Saudite, të cilat së bashku shënojnë 89 për qind të të gjitha ekzekutimeve të regjistruara në botë, thuhet në raportin e Amnesty.
“Irani, Pakistani dhe Arabia Saudite kanë dënuar njerëzit me vdekje, në nivele të papara, në shumë raste pas gjykimeve të padrejta. Kjo masakër duhet të ndalet”, ka thënë përmes një deklarate Salil Shetty, sekretar i përgjithshëm i Amnesty International.
Shetty këtë rritje të shifrës së ekzekutimeve, në nivel botëror, e ka quajtur “thellësisht shqetësuese”.
“Gjatë 25 viteve të fundit nuk është shënuar numër kaq i madh i ekzekutimeve nga shtetet nëpër botë. Në vitin 2015, qeveritë vazhduan që t’i privojnë njerëzit nga jeta e tyre, me idenë e gabuar se dënimi me vdekje do të na bëjnë më të sigurt”, ka thënë ai.
Ky raport nuk e ka përfshirë Kinën, të cilën Amnesty e përshkruan si “ekzekutuesen më të madhe”, pasi statistikat që përdoren për dënimet me vdekje në atë shtet konsiderohen si sekret shtetëror.
“Ekzekutimet e Kinës mbeten më të lartat, me mijëra çdo vit”, thuhet në raport, duke theksuar se këto shifra mund të jenë në rënie, që nga koha kur Gjykata Supreme Popullore e Kinës filloi rishikimin e zbatimit të dënimit me vdekje, në vitin 2007.
Pavarësisht numrit të lartë të ekzekutimeve, Amnesty tha se janë parë zhvillime pozitive në drejtim të heqjes së dënimit me vdekje, të cilin ky grup e kundërshton “në të gjitha rastet, pa asnjë përjashtim”.
Oluwatosin Popoola, një ekspert i fushës së dënimeve me vdekje në Amnesty, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “viti 2015 ishte vit i ekstremeve”.
“Edhe pse ka pasur shumë pengesa në luftën për heqjen e dënimit me vdekje, disa zhvillime pozitive japin shpresë”, ka thënë ai, duke shtuar se Republika e Kongos, Fixhi, Madagaskari dhe Surinami kanë hequr dënimin me vdekje për të gjitha llojet e krimeve.
Për herë të parë, thuhet në raport, një shumicë prej 102 shteteve në botë tani e kanë hequr dënimin me vdekje. Raporti thekson se janë gjithsej 140 shtete në gjithë botën që e kanë hequr dënimin me vdekje, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë praktik./REL