Franz Maier nga Njësia e Krimit në Policinë rajonale të Grazit i ka thënë gazetës austriake se ata kanë gjetur të gjitha provat që vërtetojnë se këta tre të rinj kanë vjedhur brenda një nate.
Të tre jetonin së bashku dhe po prisnin të merrnin dokumentacionin për qëndrim në Austri. Por ditëlindja e njërit prej tyre, afgani 18-vjeçar do t’i shtynte ata drejt një aventure kriminale, që brenda natës do tua shuante shpresat për qëndrim në Austri.
Tre adoleshentët azilkërkues në Graz të Austrisë do të vendosnin që për hatër të organizimit të ditëlindjes së afganit të plaçkitnin në tri lokacione të ndryshme.
Fillimisht do të hynin në biznesin e lagjes, duke vjedhur alkool me shumicë tek bodrumi i një 54-vjeçari të cilin edhe e kishin sulmuar. Atij ia vodhën edhe 260 euro të gatshme dhe një telefon.
Por duke u kthyer në shtëpi, paratë nuk u kanë mjaftuar, dhe rrugës kanë sulmuar një qytetare 23-vjeçare të cilën e plaçkiten duke ia marrë edhe mbi 500 euro, raporton gazeta austriake “Kronen Zeitung”.
Të dy viktimat kishin paraqitur rastin në Policinë rajonale, dhe teka policia po bënte kërkimet e veta, të tre azilantët ishin duke festuar në banesën e tyre.
Mëngjesin e së premtes, kur ndeja kishte përfunduar, të rinjtë ia kishin mësyrë të kryejnë edhe një plaçkitje.
Kishin vendosur që ta mobilonin banesën e tyre të thjeshtë që ua paguan shteti i Austrisë e që janë të dedikuara për azilkërkues.
Kësisoj do të plaçkitnin një banesë në të cilën do të vidhnin televizorin dhe mjete të tjera teknologjike e deri tek piktura dhe qilima.
Ia kishin dalë të ikin, por brenda 2 orëve, Policia e Austrisë do t’i zinte, pikërisht në banesën e tyre.